Veliaj: Pas 21 qershorit do ta kthejmë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve

Shqipëria

Veliaj: Pas 21 qershorit do ta kthejmë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve

Më: 23 maj 2015 Në ora: 17:43

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, shpërndau sot paradite disa leje legalizimi për njësitë nr. 4, 8 dhe 9 në Tiranë. Ai vlerësoi punën e kryer deri tani nga ALUIZNI me dhënien e lejeve të legalizimit, por shtoi se pas 21 qershorit, bashkia dhe qeveria do ta përshpejtojnë këtë proces. Sipas Veliajt, këto njësi janë edhe zonat me anomalitë më të mëdha në Tiranë, ndonëse janë nën administrimin e PD-së.

“Fakti se gjatë 8 viteve në pushtet, PD-ja dha vetëm 20 mijë leje legalizimi, kurse në një vit ALUIZNI nën drejtimin e Artan Lames, dha 31.200 legalizime, flet vetë. Ne ecim minimalisht 10 herë më të shpejt. Kjo është diferenca”, deklaroi Veliaj. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, ai solli në vëmendje se nga 20 mijë legalizimet e bëra në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, 19 mijë janë biznese. “Ne kemi bërë 31200 legalizime, nga të cilat 31 mijë janë shtëpi sepse streha e qytetarëve është prioriteti ynë”, theksoi Veliaj.

Sipas tij, për koalicionin e majtë, prioriteti janë qytetarët dhe jo legalizimi bingove apo kazinove. Duke sjellë në vëmendje garën për Bashkinë e Tiranës, Veliaj tha se në këto zgjedhje qytetarët kanë dy oferta: një kandidat të majtë dhe 5 kandidatë të djathtë. “Për të gjithë qytetarët që e shohin se brenda PD-së po zhvillohet një garë se kush profilizohet më shumë, le ta bëjnë, por jo në kurrizin e Tiranës. Më 21 qershor, nuk do të bëjmë hesapet e SHQUP-it, por hesapet e çdo familjeje shqiptare”, vlerësoi ai. Sipas kandidatit socialist, beteja e 21 qershorit është për familjet dhe qytetin tonë.

“Kisha që në 2006 që kisha aplikuar për lejen e legalizimit dhe po prisja prej 9 vitesh”, tha një banore e njësisë 9, e cila mori sot lejen e legalizimit. Veliaj u zotua se do ta vendosë bashkinë në dispozicion, në mënyrë që procesi i legalizimeve të përfundojë sa më shpejt. Sipas tij, pas 4 vitesh “kemi një shans historik që të mbajmë mend kush na mashtroi dhe kush na shërbeu dhe të refuzojmë ata që na mashtruan dhe të votojmë ata që na shërbyen”.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, duke shpjeguar situatën aktuale, tha se në veçanti njësia 8 dhe njësia 9, kanë probleme me disa nga studimet e bëra nga bashkia, ku janë parashikuar ndërtime të larta të cilat bllokojnë legalizimin në këto zona. “Në Tiranë janë rreth 14 mijë ndërtime për të cilat bllokohej legalizimi për shkak të këtyre studimeve. Në këto dy njësi janë rreth 2 mijë ndërtime. Pas 21 qershorit do kemi vërtetë punë për ta zgjidhur problemin e këtyre 2 mijë familjeve”, deklaroi Lame.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe deputeti socialist, Sadri Abazi, i cili u kërkoi njerëzve që të shfrytëzojnë votën, si një armë për të ndryshuar Tiranën.

Një qytetar i njësisë bashkiake nr. 8, Teki Doko, shprehu shqetësimin për zvarritjen e procesit të legalizimit për 9 vite rresht. “Dua t’ju them dy fjalë, meqë jam komshiu i Lulzim Bashës. Nuk është punë politike kjo. Për këtë letër unë kam që në 2006, që pres ta marr për 30 metra oborr në përdorim. “Dy herë i kam shkuar kryetarit Lulzim Basha dhe më ka kap prej faqesh dhe më ka thënë: ‘akoma s’e ke marrë’? Turp i botës”, tha ai.

Veliaj u përgjigj se do ta kthejë Bashkinë e Tiranës 24 orë në shërbim të qytetarëve. “Komshinjtë nuk i zgjedhim dot, por votën po. Komshinjtë nuk e kemi në dorë t’i ndërrojmë, por mund të ndërrojmë mënyrën si votojmë”, përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat