Vokshi: Veliaj firmosi shkarkimin e 3 mijë profesionistëve‏

Shqipëria

Vokshi: Veliaj firmosi shkarkimin e 3 mijë profesionistëve‏

Më: 23 maj 2015 Në ora: 17:00

Partia Demokratike i ka kujtuar sërish sot kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj premtimet e pambajtura në detyrën e tij si Ministër i Mirëqenies Sociale. Deputetja demokrate, Albana Vokshi tha sot se Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura, duke i quajtur ato mashtrime.

“Prapë premtime, prapë mashtrime. Erion Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura të dy viteve më parë, por kësaj radhe po i paraqet me ambalazh për Tiranën. Në 2013-ën Erioni premtoi: “Përgjysmim i papunësisë femërore. Garantim i përparësisë në punësim për gratë dhe vajzat që kanë imigruar në zonat urbane dhe qytetet e mëdha”. Ku janë vendet e reja të punës për gratë dhe vajzat? Erioni ishte Ministri përgjegjës për ta realizuar këtë premtim. Ai kishte plot 40% të buxhetit të shtetit për të realizuar këtë dhe dhjetëra premtime të tjera që po ia përmendim çdo ditë qysh prej 2 javësh dhe ia publikojmë në website. Erioni premtoi por mashtroi”, deklaroi Vokshi.

Sipas deputetes së PD-së, kandidati i kryeministrit firmosi për shkarkimin e mbi 3 mijë grave dhe vajzave profesioniste. “Nënat kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuar dhe gratë viktima të dhunës u lanë pa punë dhe pa përkujdesje sociale. Në statistikat gjinore, 50 për qind e grave dhe vajzave janë të papuna. Raporti është nga vetë qeveria. Sot gratë dhe vajzat nuk marrin asnjë punësim përveç talljeve dhe fyerjeve në zyrat e punës. Të gjithë jemi dëshmitarë që punësim u ofrohet grave në këmbim të abuzimeve seksuale nga perversët e pushtetit”, u shpreh ajo.

Vokshi tha se Veliaj premton për të marrë pushtetin dhe nuk e ka problem të mashtrojë sërish qytetarët.

“Erion Veliaj, ky papagall i Ramës, vetëm premton por i ka vetëm fjalë pasi nuk realizon.

Erioni premton veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Ka dy javë që çdo ditë po i kujtojmë Erionit nga një tjetër premtim të thyer dhe nga një tjetër mashtrim. Votuesit nuk janë lodra që të mashtrohen përsëri”, përfundoi deklaratë deputetja Albana Vokshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat