Luan Rama: PD sajon alibi nga paniku i humbjes në zgjedhje

Shqipëria

Luan Rama: PD sajon alibi nga paniku i humbjes në zgjedhje

Më: 23 maj 2015 Në ora: 16:09

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama deklaroi të shtunën se, për shkak të frikës nga rezultati i zgjedhjeve të 21 qershorit, Partia Demokratike ka krijuar alibinë e blerjes së votave.

Duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga PD e cila pretendon se ka nisur ‘fushata’ e blerjes së votave për zgjedhjet e 21 qershorit, Luan Rama u shpreh se “kuzhina e mykur e SHQUP-it ndodhet në një gjendje të mjeruar, ndaj e përfshirë prej panikut të humbjes së radhës në zgjedhjet e 21 qershorit ka sajuar alibinë e shpifjes për gjoja blerje të votuesve”.

“Makina e vjetër propagandistike e SHQUP-it në përpjekjet për t’i paraprirë humbjes që do të vijë prej ndëshkimit qytetar në zgjedhjet e 21 qershorit, është kaq e çekuilibruar dhe e çoroditur sa që fyen dhe poshtëron votuesit dhe mbështesit e saj, duke i akuzuar ata apo duke i trajtuar ata si mall që shitet e blihet”, tha Luan Rama.

Kjo, sipas tij, dëshmon më tej krizën e thellë të besimit dhe mosfunksionimin e ndërveprimit midis SHQUP-it dhe atyre që me shpirt dhe me zemër kanë qenë dhe kanë votuar apo mbështetur PD-në”.

“Natyrisht pamundësia, pazotësia për t’i shkuar garës deri në fund, frika e rezultatit që do t’i japin qytetarët, janë arsyet e vetme se përse është sajuar apo gjendur kjo alibi e turpshme, që në fakt dëshmon edhe njëherë se në çfarë gjendje të mjeruar është katandisur SHQUP-i dhe kuzhina e mykur bashkë me kryekuzhinerin e saj”, tha ai.

Sipas tij, rritja e mbështetësve dhe e votuesve të LSI-së në të gjithë vendin, forca dhe besimi i qytetarëve tek LSI, si shprehëse dhe mbrojtëse e interesit qytetar, distancimi real prej SHQUP-it i gjithë qytetarëve, janë parathënia e gjatë e verdiktit të zgjedhjeve të 21 qershorit, ku qytetarët ashtu si në 23 qershor të vitit 2013, do të dijnë të dënojnë me votë trilluesit, fabrikuesit dhe të gjithë ata që kanë gatuar çorbën bajate në kuzhinën e SHQUP-it.

“LSI është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet dhe do të japë të gjithë kontributin e saj, që të realizohet një proces zgjedhor i ndershëm, korrekt, i paanshëm e transparent në përputhje me standardet europiane dhe nuk do të lejojë askënd më që të kontaminojë apo të prishë procesin zgjedhor”, siguroi Luan Rama.

Ai ftoi PD-në që të heqë dorë prej alibisë së shpifjeve dhe nëse ka prova apo fakte për cilindo përfaqësues, anëtarë mbështetës, votues e simpatizantë të LSI-së, që të rezultojë i implikuar në të tilla veprime të paligjshme, le t’i dërgojë ato pranë organeve të zbatimit të ligjit.

“Ne do të mbështesim, do të inkurajojmë dhe do të nxisim pambarimisht organet e zbatimit të ligjit për të ndëshkuar cilindo me forcën e ligjit, në mënyrë që të garantohet një proces zgjedhor korrekt dhe i drejtë”, shtoi ai.

Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së theksoi se për të gjitha shpifjet, sajesat dhe trillimet e tilla, LSI u është drejtuar organeve të zbatimit të ligjit. “Do të ndjekim rrugën ligjore në gjykatë dhe inkurajojmë organet e zbatimit të ligjit, i nxisim ato duke i mbështetur pa asnjë rezervë, që të ndëshkojnë me rreptësinë më të madhe, cilindo që tenton apo që rezulton të jetë i implikuar në përpjekjet për të manipuluar, vjedhur, blerë, shitur apo tjetërsuar votën”, tha ai.

“Kryekuzhinieri dështak të mos ngatërrojë zgjedhjet e lira dhe ndershmërinë qytetare e cila do të konfirmohet edhe në zgjedhjet e 21 qershorit, me fushatën e blerjeve që e emëruan atë kuzhinier të SHQUP-it”, tha në përfundim Luan Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat