RENEA në mbrojtje të Tahirit

Shqipëria

RENEA në mbrojtje të Tahirit

Më: 23 maj 2015 Në ora: 15:18

Prokuroria e Përgjithshme ka autorizuar sot forcat speciale RENEA për të marrë në mbrojtje të menjëhershme ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe familjen e tij, pas kërcënimeve me mesazhe telefonike.

Urdhri i Prokurorisë ka autorizuar forcat speciale RENEA të ruajnë banesën e ministrit të Brendshëm. Në këtë angazhim të forcave elitë të policisë shqiptare është futur edhe banesa e të atit, e cila pak muaj më parë u bë objekt e një sulmi me tritol.

Në procedurë nga Prokuroria e Përgjithshme ka nisur edhe dhënia e statusit të të mbrojturit, çka do të nënkuptojë, se mbrojtja ndaj ministrit dhe familjes së tij do të jetë për një kohë të pacaktuar, për vite me radhë, edhe nëse Saimir Tahiri do të përfundojë detyrën si ministër i Brendshëm.

Ky status mbrojtjeje do t’i jepet ministrit, pasi ka dyshime të forta se kërcënimet ndaj familjes Tahiri janë tepër serioze. Zanafilla nis me tritolin e vendosur në farmacinë e të atit, për të cilën me vonë u akuzua familja Gjuta.

Policia arrestoi në kohë të shpejtë shtatë persona nga kjo familje, ndërkohë që është shpallur në kërkim Vladimir Gjuta, personi i konsideruar si ideatori i atentatit ndaj biznesit familjar të familjes Tahiri. Ky dyshohet se është personi që po kërcënon ministrin. Gjatë kësaj periudhe policia ka bërë disa herë kontrolle për kapjen e këtij të fundit por pa rezultat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat