PD akuza Qeverisë: Nisi fushatën me dhunë policore; MB: Pezulluam policin

Shqipëria

PD akuza Qeverisë: Nisi fushatën me dhunë policore; MB: Pezulluam policin

Më: 23 maj 2015 Në ora: 14:02

Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë se e nisi fushatën zyrtare zgjedhore me dhunë policore.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, tha në një deklaratë për mediat se banditë, militant ëtë veshur me uniforma policie i kanë prerë rrugën Alfred Hilës, vëllai të kandidatit të djathtë për Bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila, dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.
Paloka: “Qeveria e nisi fushatën zyrtare me dhunë policore. Banditë, militantë të veshur me uniforma policie i kanë ndërprerë rrugën Alfred Hilës, vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.Inspektori i policisë Gjergj Dodani, ka qëlluar me armë në drejtim të Alfred Hilës duke u kërcënuar”.
PD i kërkoi Prokurorisë të nisë hetimet për këtë ngjarje të rëndë.
Paloka: “Partia Demokratike i bën thirrje misionit të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të monitorojnë nga afër këtë përshkallëzim të dhunës dhe terrorit qeveritar. Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të nisin menjëherë hetimet dhe të venë para përgjegjësisë dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës policore”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila i ka bërë me dije selisë blu se ka pezulluar nga detyra policin dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Ministria bën me dije se kryeministri Rama dhe Ministri Tahiri kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me kandidatin demokrat Hila për incidentin.
“Paloka dhe PD të informohen nga kandidati i tyre nëse duan të dinë ç’kemi bërë. Rama e Tahiri kanë qenë në kontakt e komunikim me kandidatin e PD për të dëgjuar versionin e tij dhe për ta informuar për masat e marra. Punonjësi i policisë është shoqëruar në komisariat dhe i është nënshtruar hetimit nga prokuroria. Ai do të jetë i pezulluar deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Nëse hetimi do provojë fajësinë e tij, polici do të ndëshkohet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat