Veliaj: Tirana ka një kandidat të majtë dhe pesë të djathtë

Shqipëria

Veliaj: Tirana ka një kandidat të majtë dhe pesë të djathtë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 13:01

Gjatë një takimi ku ALUIZNI përndau lejet e legalizimeve për njësitë 4, 8 dhe 9, kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj i cilësoi kundërshtarët e tij në garën elektorale të 21 qershorit si të djathtë.

“Ne kemi dy oferta: një kandidat të majtë dhe 5 të djathtë. Janë të respektuar që të bëjnë garë për të djathtën, por kjo është garë është për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur sepse ka 4 vjet në kundërvajtje”, tha ai.

Veliaj tha më tej se, pas 21 qershorit, bashkia dhe qeveria do të ecin më shpejt për legalizimin e shtëpive në kryeqytet. Ai deklaroi se këto njësi janë edhe zonat me anomalitë më të mëdha në Tiranë, të cilat janë edhe nën administrimin e PD-së.

“Në qoftë se qyteti vuan 24 orë, atëherë edhe shërbimet duhet t’i ketë 24 orë. Pas 21 qershorit na duhet një bashki me 3 turne. Në 8 vjet ata bënë vetëm 20 mijë legalizime, kurse në 1 vit ne bëmë 32 mijë legalizime. Pra, jo vetëm që bëjmë 10 herë më shumë punë, por legalizuam edhe shtëpitë e qytetarëve, e jo bingo e kazino si më parë”, tha Veliaj.

Kandidati i majtë shtoi se, Tiranës nuk i duhet një kryetar bashkie që rri në Holandë, i cili nuk ua hap derën as kryetarëve të njësive bashkiake. “Në 21 qershor do të votojmë për të bërë hesapet e çdo familjeje shqiptare, që janë të shqetësuar për shkollat, kopshtet, për faktin a ka ndonjë terren sportiv, a do të mblidhen plehrat dhe a do të vendosen vijat e bardha pa i fshirë shiu.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat