Tushaj: Arsimtarët, themeli i dijeve të shoqërisë sonë

Shqipëria

Tushaj: Arsimtarët, themeli i dijeve të shoqërisë sonë

Më: 23 maj 2015 Në ora: 12:45

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj, zhvilloi një dëgjesë publike me arsimtarët e rrethit të Lezhës, ku u njoh nga afër me problematikat e tyre.
Tushaj shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, i cila mori mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare në Qarkun e Lezhës.

Në fjalën e tij, Tushaj shprehu bindjen se do të vijojë puna për zbatimin e projekteve në modernizimin e Bashkisë së re të Lezhës në standardet evropiane. Duke i cilësuar arsimtarët si themeli i dijes dhe i shoqërisë, që nuk ndalon asnjëherë së zhvilluari, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” e vlerësoi si një privilegj takimin me arsimtarët.

Në vijim të fjalës së tij, Tushaj prezantoi projektin më të ri, ku theksoi se me qasjen e re të qeverisë, në Lezhë do të ngrihet një Korpus Universitar, i cili do të fokusohet në studimet albanologjike, kjo për vetë vlerat që ka Bashkia e re e Lezhës.

“Arsimi ka nevojë për ndryshim të standardeve, por ne nuk mund të lejojmë që standardet e reja të vendosura tashmë në Lezhë të jenë të ndryshme me ato të zonave përreth. Shkollat e rrethit të Lezhës, ose të bashkisë së madhe të ardhshme, do të jenë në standardet e duhura infrastrukturore, ashtu siç janë tashmë edhe në Lezhë”, u shpreh Tushaj.

Nga ana e saj, Kodheli tha se “të gjithë këtu jemi falë mësuesve tanë, të cilët na edukuan për vite për t’u bërë këta që sot jemi. Misioni juaj nuk ndalet vetëm tek mësimdhënia, por është të qënit pjesë e një reforme, e ndërgjegjes së lartë qytetare, që sigurisht më shumë se askush, ju e dispononi. Që ta kryeni plotësisht këtë detyrë, ju ashtu siç jeni pjesë e pandashme e shoqërisë, duhet të jeni edhe pjesë e politikës. Besoj shumë se duke votuar “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, ju bashkë me ne do t’i jepni shtysë vijimit të reformave në arsim, të cilat tashmë po i japin frytet e veta”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat