Llalla: Vetëm dy prokurorë nën akuzë, nuk është ky realiteti

Shqipëria

Llalla: Vetëm dy prokurorë nën akuzë, nuk është ky realiteti

Më: 23 maj 2015 Në ora: 09:33

Prokurori i Përgjithshëm apelon për forcimin e luftës kundër korrupsionit. “Në këtë periudhë që po drejtoj Prokurorinë Shqiptare, janë nën hetim ose gjykim vetëm dy prokurorë për çështje korrupsioni ose fshehje pasurie. Por duhet të pranojmë të gjithë bashkë se ky nuk është realiteti”

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka shprehur pakënaqësi ndaj trupës së prokurorëve lidhur me hetimin e rasteve të korrupsionit brenda radhëve të prokurorisë.

Në një takim me prokurorë nga i gjithë vendi, kryeprokurori kërkoi prej tyre të forcojnë luftën kundër fenomenit të korrupsionit, pasi rastet e deritanishme, sipas tij nuk i përgjigjen realitetit.

“Në këtë periudhë që po drejtoj Prokurorinë Shqiptare, janë nën hetim ose gjykim vetëm dy prokurorë për çështje korrupsioni ose fshehje pasurie. Por duhet të pranojmë të gjithë bashkë se ky nuk është realiteti”, – tha Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm u tregua i drejtpërdrejtë para trupës së prokurorëve kur kërkoi prej tyre që të forcojnë më së pari luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe vetë institucionin.

“Pavarësisht se prokuroria është e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe, në fakt, raste të suksesshme në përgjithësi në këtë drejtim ka pasur, gjithsesi, çdo ditë përballemi me perceptimin e opinionit publik mbi korrupsionin në drejtësi, ku ky vlerësim përfshin edhe organin e Prokurorisë. Natyrisht, ne jemi prokurorë dhe flasim vetëm në bazë të provave. Por duhet të pranojmë se perceptimi nuk është krijuar nga asgjëja”, – tha kryeprokurori Llalla.

Sipas tij, qytetarët kanë shqetësimin se në shumë raste nuk gjejnë zgjidhjen e duhur në dyert e prokurorisë.

“Madje ka raste ku pretendojnë se përfundimi i hetimeve nga prokurorë të ndryshëm bazohet në vlera financiare të dhëna në formë ryshfeti. E ritheksoj, personalisht jam i prirur të flas vetëm në bazë të fakteve. Qytetarët flasin dhe ata duhet të dëgjohen me forcë. Për publikun, në Prokurorinë Shqiptare ka shumë të tjerë që janë përfshirë në veprime korruptive. Ne duhet të dëshmojmë se jemi në krahun e publikut, në çdo rast”, – theksoi Prokurori i Përgjithshëm.

Këto deklarata Prokurori i Përgjithshëm i bëri para nisjes së votimit për 5 anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorisë. Ai kërkoi nga Këshilli i ri i Prokurorisë angazhimin maksimal për të forcuar integritetin e trupës së prokurorëve.

“Të bashkëpunoni ngushtësisht me drejtuesit e prokurorive dhe Drejtorinë e Inspektimit për evidentimin e shkeljeve në radhët e prokurorëve dhe penalizimin e tyre. Po ashtu do i sugjeroja Këshillit të Prokurorisë që të jetë plotësisht realist në vlerësimin periodik të prokurorëve, por edhe të drejtuesve të prokurorive”, – tha Llalla.

Më pas 287 prokurorë nga i gjithë vendi votuan si pjesë të Këshillit të Prokurorisë prokurorët Gentian Osmani, me 189 vota dhe Ramadan Troci, me 129 vota. Sa i përket prokurorive të Apelit, në Këshillin e Prokurorisë u zgjodhën Dritan Peka, me 179 vota dhe Irma Balli, me 128 vota. Për vendin vakant nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme u zgjodh prokurori Arben Dollapaj, me 221 vota. Këshilli i Prokurorisë është struktura kryesore konsultative e Prokurorit të Përgjithshëm për rekrutimin, transferimin dhe procedimin e prokurorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat