SEECP, Bushati: Po nuk u hetua Kumanova rrezikohet integrimi

Shqipëria

SEECP, Bushati: Po nuk u hetua Kumanova rrezikohet integrimi

Më: 22 maj 2015 Në ora: 20:15

Ka nisur në Tiranë Konferenca Rajonale e Ministrave te jashtem te Procesit te Bashkepunimit të Evropës Juglindore në kuadër të kryesisë së kësaj iniciative nga Shqipëria.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka folur në samitin e SEECP ku ka thënë se duhet një hetim i plotë për ngjarjet në Kumanovë, pasi në të kundërt kjo do të përbëjë një rrezik për integrimin në rajon.
Ky reagim i Bushatit erdhi menjëherë pas qëndrimit që mbajti Ministria E jashtme e Maqedonisë e cila e dënoi vendimin e kryeministrit Rama për të vendosur Veton ndaj Maqedonisë në integrimin e saj në strukturat e NATO-s.
“Duhet të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet e të shkuarës. Duhet të punojmë për të krijuar një të ardhme të përbashkët për integrimin e rajonit. Bashkimi Europianë është synimi ynë i përbashkët dhe ndasitë e të shkuarës janë pengesa kryesore në këtë drejtim. Të bëjmë më shumë që çështjet në Maqedoni të zbardhen, të zgjidhim mosmarrëveshjet, siguria e çdo vendi të jetë e pandashme nga siguria jonë. Ne kemi kërkuar që ngjarjet të hetohen plotësisht, në mënyrë të besueshme dhe transparente. Pikërisht në këtë sfond, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të intensifikojnë përpjekjet e përbashkëta brenda kuadrit të procesit të Berlinit.

Të gjitha bllokadat, kërcënimet për bllokime dhe deklaratat për justifikime false të mungesës së mbështetjes dhe kundërshtimit të antarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Europian që vijnë nga jashtë, janë kundër vlerave europiane dhe nuk kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajon” – tha Bushati

Ashtu siç ishte paralajmëruar takimi është bojkotuar nga ministri i jashtëm grek Kotzias, pas mosmarrëveshjeve dhe tensioneve të krijuara mes dy vendeve për kërkimet e naftës në ujërat e detit Jon.

Gjithsesi Greqia përfaqësohet në këtë konferencë nga Sekretari i Përgjithëm i Cështjeve Evropiane. Nga ana tjetër Maqedonia përfaqësohet në këtë konferencë nga zv/kryeministri shqiptar i qeverisë për çështjet europiane Fatmir Besimi.

Në hapje të konferencës, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e këtij takimi për një fqinjësi të mirë ndërsa kërkoi më tepër bashkëpunim mes vendeve kyçe duke përfshirë edhe organizatat civile për një rajon më të zhvilluar ekonomikisht dhe politikisht.

Janë 13 vende pjesëmarrëse të SEECP që janë mbledhur në këtë konferencë në Tiranë, me fokusin tek siguria, mbrojtja e kufijve, lufta kundër terrorizmit, si dhe projektet e përbashkëta rajonale në fushën e energjisë dhe infrastukturës. Në këtë aktivitet marrin pjesë delegacionet nga Sarajeva, Sofja, Athina, Prishtina, Zagrebi, Podgorica, Shkupi, Kishinau, Bukureshti, Beogradi, Lubjana dhe Ankaraja. Pas samitit dyditor, Tirana do ti dorëzojë kryesimin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Bullgarisë. Ndërkaq përfaqësuesit e Serbisë dhe Greqisë pritet të mbajnë në Tiranë edhe takime dy-palëshe. Ndërsa pranë selisë së Kuvendit të Shqipërisë, do të mbahen mbledhjet teknike të tre Komisioneve Parlamentare të SEECP-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat