Meta pranon ftesën e Çiçek për vizitë bashkëpunimi në Turqi

Shqipëria

Meta pranon ftesën e Çiçek për vizitë bashkëpunimi në Turqi

Më: 22 maj 2015 Në ora: 19:54

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë Cemil Çiçek i cili gjendet në Tiranë në kuadër të Sesionit të Dytë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Kryetari i Kuvendit Meta e falenderoi Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë Çiçek për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të SEECP si dhe për mbështetjen e fuqishme që Turqia i ka dhënë funksionimit të Asamblesë Parlamentare.

Meta duke vlerësuar marrëdhëniet e ngushta vllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve theksoi se bashkëpunimi mes dy parlamenteve duhet përqendruar në mbështetjen e punës së dy qeverive respektive për shumëfishimin e kontakteve dhe shkëmbimeve të gjithanshme bilaterale, veçanërisht shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë Cemil Çiçek shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të SEECP dhe vlerësoi angazhimin e Kryesisë Shqiptare gjatë vitit të kaluar të kësaj nisme të rëndësishme rajonale.

Duke vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin ndër parlamentar dhe marrëdhëniet e ngushta mes Turqisë dhe Shqipërisë, Çiçek shprehu dëshirën për një vizitë zyrtare të Meta në Turqi, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat