Bojaxhi sfidon Kosovën e Veliajn: Publikoni kostot e fushatës tuaj

Shqipëria

Bojaxhi sfidon Kosovën e Veliajn: Publikoni kostot e fushatës tuaj

Më: 22 maj 2015 Në ora: 16:47

Gjergj Bojaxhi, kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, ka kërkuar që kandidatët për Tiranën, Erjon Veliaj dhe Halim Kosova të bëjnë publike koston e fushatës së tyre.

“Nëse doni të kuptoni qëllimet e vërteta të çdo kandidati për bashkinë e Tiranës, shikoni financimin e fushatës së tyre. Fushata jonë financohet nga qytetarë të thjeshtë përmes donacioneve modeste. Kjo është fushata më e lirë e realizuar ndonjëherë, në sajë të këtyre donacioneve dhe të punës pa pagesë të rreth 150 vullnetarëve të grupit “Ne, Tirana”.

Ne nuk do pranojme financime në shuma të mëdha nga asnjë biznes apo individ, në mënyrë që neser askush të mos ketë të drejtë të kërkoje favore por vetëm llogari për mirëqeverisjen e Tiranës. Ftoj dy kandidatët e partive, z. Veliaj dhe z. Kosova të bëjnë publike koston e fushatës së tyre si dhe financuesit. I ftoj të na tregojnë se me çfarë parash sponsorizohen dhjetëra zyra të shtrenjta elektorale kudo nëpër qytet, se ku gjendet milionat e lekëve që kushton çdo “dëgjesë” e tyre teatrale me militantët të maskuar si qytetarë të interesuar.

I kujtoj qytetarëve se çdo lek që bisneset të mëdha i dhurojnë sot kandidatëve dhe partive te tyre, nesër do të shpërblehet me leje ndërtimi dhe favore të tjera në kurriz të qytetit dhe interesit të qytetarëve. Miliona euro financime do të kthehen nesër në miliona euro favore. Në këto kohë krizash kur shqiptarët marrin arratinë nga varfëria dhe mungesa e shpresës kandidatët politikë organizojnë përditë dasma elektorale nepër Tiranë”, - ­tha ai më tej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat