Nis dezinsektimi i Tiranës pas 25 vitesh, Beqaj-Veliaj: “Përmirëson jetën e qytetarëve”

Shqipëria

Nis dezinsektimi i Tiranës pas 25 vitesh, Beqaj-Veliaj: “Përmirëson jetën e qytetarëve”

Më: 22 maj 2015 Në ora: 12:53

Ministria e Shëndetësisë ka nisur sot procesin e dezinsektimit të mushkonjave në Liqenin Artificial të Tiranës, si dhe në mbi 3 mijë puseta në kryeqytet, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të Tiranës dhe shmangur bezdisjen nga insektet gjatë sezonit të verës. Procesi i dezinsektimit, i cili po kryhet për herë të parë pas 25 vitesh në Tiranë, nisi sot në orën 2 të mëngjesit nga ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili shoqërohej edhe nga kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.

“Fillojmë sot procesin e reduktimit të pranisë së mushkonjave në zonën e Tiranës, qoftë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, qoftë për të eleminuar një bezdisje që i shoqëron ata gjatë stinës së ngrohtë. Është një proces, i cili nuk mbahet mend të jetë bërë në Tiranë për të paktën 25 vjet. Vjet e filluam në bregdet, sivjet jemi shtrirë edhe në shumë zona të tjera urbane. Ky është një angazhim i qeverisë shqiptare për të qenë shumë më pranë qytetarëve, duke filluar me parandalimin. Në Tiranë janë të paktën 3 mijë puseta të konstatuara, të cilat kanë nevojë për këtë proces, i cili do të zhvillohet në muajt e ardhshëm, ku çdo dy javë do të kemi të paktën 12 ndërhyrje”, u shpreh ministri Beqaj.

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Veliaj, e cilësoi këtë proces një lajm të mirë për të gjithë qytetarët e Tiranës, të cilët pas 25 vitesh po shohin diçka konkrete për përmirësimin e jetës së tyre.

“Njerëzit janë lodhur nga politika e madhe, nga sherrnaja dhe 4 vitet e gërhitjes në Bashki e Tiranës, ndaj aksioni i sotëm në orën 2 të mëngjesit, tregon se kur shteti do, shteti bën. Vizioni ynë për të pasur një qeveri dhe bashki 24 orë në punë, përkthehet në aksionin e sotëm, ku me një përpjekje konkrete dhe investim modest mund të përmirësohet ndjeshëm jeta e qytetarëve të Tiranës, të cilët teksa afron vera ndihen të bezdisur nga infeksionet, mushkonjat, plehrat dhe papastërtitë. Sot kemi vendosur një etalon se mund të kemi një bashki, e cila punon 24 orë në ditë, ashtu siç kemi edhe një qeveri, e cila i rri punës te koka edhe në 2 të mëngjesit”, deklaroi Veliaj.

Dezinsektimi është një proces i rëndësishëm dhe efikas, sidomos kur zbatohet me përpikmëri dhe masat e nevojshme. Ky proces ka rifilluar në vendin tonë në masë në vitin 2014, kryesisht në zonat bregdetare publike dhe më tej, si në disa zona në Prefekturën e Vlorës si dhe Sarandën, Prefekturën e Fierit, Durrësit dhe Lezhën, duke përdorur agjentin biologjik Bti, i cili nuk ka ndikim në shëndetin publik dhe mbi organizmat e tjerë ujore, përveç larvave të mushkonjave.

Këtë vit ka një trefishim të zonave që do të dezinfektohen, duke përfshirë edhe shumë zona në Tiranë. Procesi i dezinsektimit që do të zbatohet gjatë vitit 2015 në zona bregdetare dhe disa zona urbane bazohet në kontrollin e larvave me anë të përdorimit të agjentit biologjik Bacillus turingensis israeliensis (Bti), i cili nuk ka ndikim në organizmat e tjerë ujore, përveç larvave të mushkonjave. Gjithashtu, në gropa septike dhe vatra me ndotje të lartë do të përdoren barriera fizike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat