Kandidatja Mile premton të kthejë terrenet sportive në qytet

Shqipëria

Kandidatja Mile premton të kthejë terrenet sportive në qytet

Më: 22 maj 2015 Në ora: 12:47

Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Pogradecit, Diana Mile, zhvilloi një dëgjesë me sportistë, ish-sportistë dhe të rinj të këtij qyteti.
Duke u ndalur në disa pika prioritare në këtë drejtim, si krijimi i terreneve të reja sportive, nxitja e sportit në shkolla, ndërtimi i një kompleksi sportiv që do të përfshijë gjithë bashkinë e Pogradecit, Mile theksoi se është detyrë e pushtetit lokal të rigjallërojë jetën në qytet duke nxitur aktivitetet.
Kandidatja e majtë nënvizoi se synon t’i rikthejë Pogradecit terrenet sportive të munguara dhe të krijojë mundësinë të ketë një kompleks për të gjitha sportet duke nxitur dhe mbështetur çdo nismë dhe projekt që i shërben riaktivizimit të tij.

Përfaqësuesja e LSI-së në këtë takim, Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Evropian, shprehu bindjen se kandidatja e ASHE-së do t’i bëjë realitet sa më shpejt këto terrene sportive, duke ndjekur një model shumë të mirë që qeveria ka zbatuar, duke e rikthyer sportin në shkolla dhe duke i dhënë atij rëndësinë e duhur.
Kandidatja Mile nënvizoi se në Asamblenë e qytetit që pritet të krijohet nga Bashkia, do të ketë përfaqësues nga fusha e sportit, në mënyrë që të ringrihet tradita pogradecare.

Në kuadër të fushatës elektorale kandidatja është takuar me përfaqësues të minoriteteve dhe komuniteteve fetare, në kuadër të Ditës Botërore të Diversitetit. Ajo premtoi se pas 21 qershorit, të gjitha komunitetet do të jenë të mirë përfaqësuara në Bashkinë e Pogradecit, ndërsa shprehu angazhimin për të forcuar bashkëjetesën dhe rritur harmoninë në qytet dhe zonat përreth.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat