Rama në Shijak, prezanton kandidatin e bashkisë, Ardian Kokomani

Shqipëria

Rama në Shijak, prezanton kandidatin e bashkisë, Ardian Kokomani

Më: 22 maj 2015 Në ora: 11:50

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, prezantoi kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane në bashkinë e Shijakut, Ardian Kokomani.

Kryeministri Rama i theksoi se edhe në Shijak, do të vazhdojnë ato transformime që sapo kanë nisur. “Faktikisht, për çështje ditësh do të fillojë rindërtimi i të gjithë këtij sheshi, i cili nga një udhëkryq me pluhur dhe me zhurmë, do të kthehet në një shesh të denjë për të gjithë qytetarët e Shijakut. Në një shesh për të rinjtë, për të moshuarit, në një shesh që do të jetë guri i themelit për të ngritur hap pas hapi, murin tonë të Rilindjes në të gjithë bashkinë e Shijakut”, tha Rama.

Kryeministri i shprehu mirënjohjen, respektin dhe falënderimin, kryetarit të bashkisë së Shijakut, Indrit Buka, i cili sipas kreut të qeverisë, “me nder dhe me dinjitet e drejtoi këtë bashki në 4 vitet e shkuara dhe që sot ia dorëzon stafetën kryetarit të ri të bashkisë re”.

Rama tha se, “bashkia e re e Shijakut ka një territor shumë më të madh dhe ne besojmë që kandidati ynë, për të marrë stafetën, është njeriu i duhur për të çuar Shijakun në drejtimin e duhur”.

“Zgjedhjet e 21 Qershorit nuk janë zgjedhje për të mbajtur SHQUP-in me gajret, nuk janë as zgjedhje për ato muhabete që bën SHQUP-i, do ulim çmimin e dritave, do bëjmë taksat zero, do bëjmë këtë mrekulli dhe atë mrekulli. Por, ata ngaqë nuk kanë gjë në dorë, i bëjnë të gjitha. Këto zgjedhje janë zgjedhje për çdo familje, janë zgjedhje ku çdo prind, çdo gjyshe dhe gjysh, çdo vajzë dhe djalë që ka të drejtën e votës do të shkojë të votojë për atë që familja ka nevojë në këtë qytet. Për çerdhen, në qoftë se ka një çerdhe dhe duhet të bëhet më e mirë, po ashtu për kopshtin, për shkollën, qendrën shëndetësore, kanalet ujitëse dhe kulluese, po ashtu për sportin. Të gjitha këto nuk mund t’i bëjë dot ai që ju ka sjellë SHQUP-i këtu, se nuk ka si i bën. Këto mund t’i bëjë vetëm një kryetar bashkie që ka të gjithë mbështetjen e qeverisë. Prandaj, votën për Ardian Kokomanin nuk ua kërkoj thjesht për të, por ua kërkoj për të pasur unë si Kryeministër dhe ne si qeveri, këtu në Shijak, një njeriun tonë, një partnerin tonë dhe një drejtuesin tonë, me të cilin të punojmë për Shijakun, natë-ditë”, tha Rama.

Duke folur për kandidatin e së djathës, Rama u shpreh se, “Nëse më pyesni pse nuk mund të punoni me atë tjetrin, ju them për dy arsye. SHQUP-i nuk ka sjellë këtu dhe nuk ka çuar në asnjë qytet, kandidat për kryetar bashkie që të bëjë punët për familjet e këtyre komuniteteve. Por ka sjellë njerëz që, larg qoftë, po t’i votoni, ta mbajnë të bllokuar bashkinë, të dalin tek dera e bashkisë dhe të thonë “poshtë qeveria, nuk na lë qeveria, hajde të rrëzojmë qeverinë”. Me një fjalë, atë sherrin që ju shihni çdo të enjte në parlament, ta sjellin këtu dhe ta keni 7 ditë me radhë, pa pushim, edhe të shtunë dhe të diel. Ndërkohë që ne nuk kemi më kohë për të humbur. Kemi humbur kohë 20 vjet dhe tani, ne duhet të vazhdojmë atë që kemi nisur në këto 18 muaj dhe ta vazhdojmë pa humbur kohë. Ta vazhdojmë duke financuar projektet. Ju e keni parë se çfarë transformimi i madh ka filluar në Durrës dhe do ta shihni edhe në javët në vijim këtu, kur të fillojë puna për sheshin dhe nuk keni sesi të gaboni. E dyta, edhe sikur ata ta kishin seriozisht që duan të rregullojnë Shijakun, ku e kanë treguar ata që po t’jua lesh një qytet ose një bashki në dorë, e rregullojnë. Më thoni një komunë që ka drejtuar PD-ja dhe është për ta pasur zili dhe që ju të thoni: Ah sikur të kisha jetuar në atë komunë! Asnjë bashki, asnjë komunë. Sepse janë të paaftë, nuk kanë vizion dhe e vetmja gjë që dinë të bëjnë është ajo që ju ka mësuar Saliu, rrumpallën, nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. Më i miri i tyre është ai i Tiranës. Por, a keni parë në Tiranë, në këto katër vjet, ndonjë gjë, a ka mbjellë ndonjë pemë, a ka shtruar një rrugë, a ndërroi ndonjë poç, po akoma poçat që kam lënë unë në 2011-n”.

“Zgjedhja është shumë e qartë, por mendja është gjë e madhe, siç i thotë populli. Prandaj unë do ju drejtohem grave që janë këtu, se me gratë e kam besimin më të madh. Nuk thotë kot populli, nëse do muhabet rri me burrat, nëse do të mbarosh punë, ja ku i ke gratë. Ndaj unë i them grave që kjo fushatë është shumë e rëndësishme, në radhë të parë për gratë dhe për vajzat. Jo më kot kemi vënë 50% gra dhe vajza në Këshill Bashkiak, se na luajtën mendsh këshillat bashkiakë të gjithë me burra. Unë besoj shumë që gratë do të jenë në gjendje t’ia tregojnë burrave drejtimin e duhur. Është shumë e rëndësishme të kuptohet që vota nuk është kot. Kjo është votë se si do të vazhdojë puna këtu. Do fillojë sheshi, por sheshi është vetëm fillimi, do vazhdojmë me rrugët e tjera, do vazhdojmë me komunat. Kush do e vazhdojë punën? Me çfarë do t’i bëni, me shkopin e flamurit të PD-së? Kështu që ose për të vazhduar për të rilindur Shijakun, ose për të tundur shkopin e PD-së, zgjidhni e merrni. Unë mendoj që gratë do zgjedhin rilindjen e Shijakut. Burrat shumica besoj do të dëgjojnë grate”, u shpreh kryeministri.

“Unë ju falenderoj shumë dhe besoj shumë që ne do bëjmë gjënë e duhur. Ne nuk jemi nga ata që i bien gjoksit dhe themi shikoi çfarë kemi bërë. Vërtet kemi bërë shumë në 18 muaj, por çfarë duhet për t’u bërë, është shumë më tepër se kaq. Por e rëndësishme është, siç thotë populli, “dielli duket që në mëngjes” dhe çfarë kemi bërë këto 18 muaj mjaftojnë për të thënë jemi në drejtimin e duhur, apo vazhdojmë në drejtimin e gabuar, siç vazhduam 20 e ca vjet. Unë besoj që jemi në drejtimin e duhur dhe besoj që të gjithë ata që e dinë se çfarë është puna, që e dinë që gjërat që bëhen me punë nuk bëhen asnjëherë lehtë, por bëhen me mund dhe kërkojnë kohë. Nuk diskutohet që janë të bindur që jemi në drejtimin e duhur”, u shpreh kryeministri Rama.

Prandaj, iu drejtua kryeministri Rama banorëve të Shijakut, “votoni Kokomanin. Është rëndësishme që të kemi një kryetar bashkie që ditën apo natën, kur i bie telefoni i Kryeministrit, hap telefonin dhe përgjigjet dhe vazhdojmë punojmë. Ose e kundërta, një kryetar bashkie që edhe natën po ta marri Kryeministrin në telefon, Kryeministri përgjigjet dhe jo kryetar bashkie që thotë nuk të takoj dot, se më shohin. Ja ku e keni kryetarin e bashkisë së Shijakut. Së bashku unë jam i bindur që 4 vitet e ardhshme do bëjmë për gjithë bashkinë e re, saç nuk është bërë në 25 vjet të marra bashkë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat