Topalli, akuza për blerje vote, Meta: E pacipë, faktet çoi në prokurori

Shqipëria

Topalli, akuza për blerje vote, Meta: E pacipë, faktet çoi në prokurori

Më: 22 maj 2015 Në ora: 07:53

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, iu përgjigjet akuzave të paraardhëses së tij, Jozefina Topallit, për blerje vote. Gjatë seancës së djeshme plenare, deputetja demokrate akuzoi mazhorancën se, po tenton të blejë votat, ndërsa iu adresua në mënyrë të veçantë kryeparlamentarit Meta, duke i kërkuar atij të mos bëjë presion mbi votuesit. Në përgjigje të menjëhershme, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e cilësoi Topallin si të pacipë, duke e ftuar që çdo provë ta çonte në polici e prokurori. Meta tha se, shkodranët nuk blihen dhe përgjigjen për opozitën do ta japin më 21 qershor. Në mbrojtje të Topallit dolën demokratët Edi Paloka e Gerti Bogdani. Njëri nga foltorja e Parlamentit e tjetri nga selia e PD-së, thanë se Meta po përdor postin për të shfryrë dufin ndaj opozitës.

Debatet

Ish-kryeparlamentarja deklaroi dje se, mazhoranca e në mënyrë të veçantë Lëvizja Socialiste për Integrim, po bën presion për të siguruar votat. “Një ftesë kam zoti kryetar i Parlamentit, mos bëni presion mbi votuesit. Mos provoni përsëri që të blini, apo përmes kërcënimit me vende pune, të blini shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre, e kam fjalën për shkodranët. E keni bërë një herë këtë, kësaj here nuk iu ecën. Nëse vota do të jetë e fshehtë, administrata do t’ua kthejë reston”, deklaroi dje Topalli nga foltorja e seancës plenare. Akuzat e saj kanë marrë menjëherë përgjigjen e kryeparlamentarit Ilir Meta. “Ke folur disa herë në Parlament për këtë çështje, sepse ke hallin e zgjedhjeve më 21 qershor dhe është e drejta jote. Eshtë e drejta jote të jesh e pacipë, por mos harro se na dëgjon Shkodra dhe na njeh, ty dhe mua. Nëse ke fakte ti dhe çdo qytetar i thjeshtë, t’i çojë në polici dhe në prokurori. Ti do të justifikohesh”, - deklaroi Meta. Pas tij, ish-kryeparlamentarja kërkoi fjalën, ndërsa e akuzoi Metën si mafie. “Kjo është fytyra jote. Ti je mafia”, tha Topalli. “Ti je aq e pacipë, sa të njeh Shkodra shumë mirë e do ta japë përgjigjen më 21 qershor. Mafien që të ka thënë moldave e ke sot aleat”, tha ai, duke shtuar se nuk kishte në plan të fliste, por u përmend direkt emri i tij. “Unë nuk flas asnjëherë, por meqë zonja më përmendi drejtpërdrejtë, do t’ia jepja këtë përgjigje. Na njeh Shkodra të dyve. Mos shpif dhe mos merr nëpër këmbë se shkodranët nuk shiten, as me oriz, as me misër, as me xhinse dhe as me fustan. Çfarë faktesh ke, çoi në polici. Mos ki merak se nuk tradhtohem unë nga provokimet e tua. Unë për zhelesh nuk të kap, kam respekt edhe për ty, edhe për Doktorin, i cili të shkojë në gjykatë të sqarojë shpifjet që ka bërë për LSI-në e Shkodrës”, deklaroi Meta.

Pas tij, ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, i cili deklaroi se kreu i Kuvendit, Ilir Meta po përdor mikrofonin për të shfryrë dufin. “Është e papranueshme gjuha që përdorni ju në Parlament dhe të përdorni atë mikrofon për të shfryrë dufet tuaja. Nuk mund të nxirrni dufin tuaj. Me paratë që po merren nga aktet mafioze, po blini votën tek qytetarët. Ata janë koshientë. Shpirtin nuk do ua blini dot, më 21 qershor dhe aspak me ‘qetësi dhe dashuri’. Nëse do guxojnë të blejnë votën, do përballen shumë fort, por aspak qetësi e dashuri”, pohoi Paloka. Pas tij ka reaguar dhe selia blu. Në një konferencë për shtyp, deputeti i PD-së, Gerti Bogdani, tha se kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, e shndërroi foltoren e institucionit më të rëndësishëm në vend në një frëngji të sulmit banal e të papranueshëm ndaj opozitës. “Fyerjet e zotit Meta ndaj zonjës Jozefina Topalli, janë shenjë e degjenerimit të plotë dhe të agonisë ku gjendet sot kjo mazhorancë, dyshja Rama - Meta, në prag të votës së 21 qershorit”, tha ai. Sipas Bogdanit, Ilir Meta është i fundit në këtë Parlament që duhet të ketë kurajën për të bërë ofendime të ulëta, pasi ai vjen nga një akuzë publike për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, akuza që erdhi nga vetë radhët e mazhorancës së tij. “Ilir Meta duhet të jetë i fundit të ketë kurajën të përbaltë Parlamentin, pasi ai vjen nga një proces i manipuluar me forcën e pushtetit të tij dhe të kryeministrit, për të mbyllur e për të mos lejuar zbardhjen e akuzës më të rëndë të bërë në këto 25 vite. Koha e kësaj dysheje që dhunon parlamentin e opozitën, po vjen drejt fundit. Ata mund t’i shpëtojnë organeve të drejtësisë, por jo drejtësisë së popullit. Ora po vjen, 21 qershori po afron”, përfundoi Bogdani.

Meta merr nën patronazh Shkodrën për të rrëzuar bastionin e të djathtëve

Bashkia e Shkodrës është një nga ato bashki ku parashikohet të zhvillohet një garë e fortë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Ekzistojnë një seri arsyesh se, përse gara në Shkodër pritet të jetë e fortë. Së pari, përballë njëra - tjetrës janë dy zonja. Keti Bazhdari nga koalicioni i majtë, e cila njihet si person mjaft me influencë në Shkodër, për shkak edhe të posteve që ka mbajtur në degën lokale të PS-së. Ndërsa nga krahu i djathtë garon Voltana Ademi, ish-deputete e qarkut të Shkodrës dhe ish - zëvendëskryetare e bashkisë. Ndërsa arsyeja tjetër është se kjo zonë njihet si një nga bastionet e së djathtës, por që në zgjedhjet parlamentare të para dy viteve rezervoi një rezultat surprizë. Mazhoranca duket se po kërkon që me çdo kusht ta nxjerrë fituese kandidaten e saj në Shkodër dhe për këtë duket se ka “ngarkuar” me detyrë edhe kryeparlamentarin Meta. Që pas konfirmimit të Bazhdarit për Shkodrën, Meta është parë në mbështetje të saj, më shumë sesa kreu i PS-së, Rama. Më datë 1 prill, mazhoranca konfirmoi Bazhdarin si kandidaten e koalicionit për Shkodrën, ndërsa vetëm dy ditë më pas, më datë 3 prill, kreu i LSI-së, Meta ishte i pari që doli përkrah saj. Gjatë përurimit të një fabrike të biznesit fason në Shkodër, Meta kërkoi mbështetje të gjerë për Bazhdarin. Më datë 1 maj kreu i LSI-së Meta u pa sërish në krah të kandidates së mazhorancës për Shkodrën, Keti Bazhdari. Nga Velipoja ku çeli sezonin turistik Meta kërkoi vota për Bazhdarin, duke u shprehur se “Keti për Shkodrën” është projekti që do të transformojë bashkinë e re të Shkodrës. Ndërsa vetëm dy ditë më pas, më tre maj kryeparlamentari Meta udhëtoi sërish në Shkodër, këtë herë edhe nën shoqërinë e kreut të PS-së, Rama, nga ku së bashku bënë prezantimin e Bazhdarit për Shkodrën. Ndërsa një nga arsyet përse Meta po merret personalisht me kandidaturën e Bazhdarit lidhet me deputetin e përjashtuar nga PS-ja, Tom Doshi, të cilin ai e përmendi edhe indirekt dje në seancë. Për të evituar përplasjet e mundshme të deputetëve socialistë të Shkodrës, Meta vendosi të merret personalisht me kandidaturën e Bazhdarit, por gjithashtu duket se kërkohet që të bëhet një fushatë mjaft frytdhënëse, duke qenë se mbështetja nga ana e Tom Doshit mund të anojë për palën kundërshtare. Për të evituar një rrjedhje të mundshme votash nga e majta duket se është angazhuar vetë kryeparlamentari Meta, i cili në të gjitha aktivitetet ku ka qenë i pranishëm në Shkodër, ka kërkuar nga anëtarët e LSI-së mbështetjen për kandidaten Bazhdari. Edhe Rama ka kërkuar një angazhim maksimal nga PS-ja në Shkodër, gjatë takimit me strukturat, ku i pranishëm ishte edhe kreu i LSI-së, Meta. Tri ditë më parë Meta udhëtoi sërish në veri të vendit. Gjatë takimit që zhvilloi me të rinjtë e Shkodrës, Meta tha se bashkia nuk duhet të konsiderohet si llogore politike, por si një institucion që duhet të zgjidhë hallet dhe problemet e qytetarëve dhe të përmirësojë jetën e tyre. Për këtë arsye Meta ftoi të rinjtë shkodranë të votojnë Keti Bazhdarin. “Nuk ka arsye që të përdoret për të akuzuar qeverinë sepse këto janë zgjedhje lokale, për problemet e përditshme të qytetarit në lagje, në fshat, kudo që jeton. Bashkia ka përgjegjësi më tepër tani”, tha Meta. Në vijim ai shtoi se Shkodra duhet të ishte në një tjetër stad, pasi të gjithë kemi detyrime ndaj këtij qyteti. “Nuk besoj se jeni të lumtur që Vllaznia nuk lufton për titullin kampion, dhe jo vetëm në futboll, por në gjithë ato sporte sepse Shkodra ka shkëlqyer në të gjitha llojet e sporteve, po kështu edhe jeta kulturore e këtij qyteti me tradita të fuqishme nuk është ajo që dëshironi dhe aspironi, përveç mundësive për një punë më të sigurt dhe dinjitoze”, theksoi kreu i Kuvendit. M. Sheme

Berisha: Rama bën fushatë duke sharë opozitën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bojkotuar prezantimet apo fushatën e kandidatëve demokratë në terren, por ka shfrytëzuar foltoren e Parlamentit për t’i dalë në mbrojtje opozitës dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Gjatë seancës së djeshme plenare, Berisha akuzoi kryeministrin se bën fushatë, jo me premtime e projekte, por me akuza për opozitën. “E di si më dukesh ndonjëherë, si i rrjedhur më dukesh në fushata. Del e sulmon opozitën Për opozitën shkon në fushatë? Ti je kryeministër. Merret me Lul Bashën. Çfarë ka bërë ai? Ka qenë ministër i Punëve Publike, ishte promotor jetik për Rrugën e Kombit. Ishte ministër i Jashtëm, ishte promotor i anëtarësimit në NATO. Ishte ministër i Brendshëm, realizoi vizat, në një kohë kur ti nuk ke shitur as tre tablo të tuat. Çfarë ke bërë ti? Zhduke sipërfaqet e gjelbra të Tiranës, zhduke terrenet sportive, ti ke bërë vepra të këqija, dhe 2 vjet kryeministër ndërtove vetëm kullën qelbësirë në Korçë. Nuk ke bërë asnjë gjë”, u shpreh Berisha. E ndërsa ka mbrojtur Bashën, Berisha i rikujtoi kryeministrit Rama garën elektorale për kryetar bashkie në vitin 2011. “Lul Bashën se përmend dot, se ai bëri më shumë se ty. Ti nuk bën dot atë që bëri ai edhe po të kesh tre jetë, tek e fundit, të palosi në vitin 2011”, tha Berisha.

Pollo i kujton Veliajt dasmën, Balla: Ke konflikt interesi për martesën

Deputeti demokrat, Genc Pollo, ka akuzuar kandidatin e mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, për abuzime me fondet publike, ndërsa kujtoi dasmën e Veliajt në Kalanë e Gjirokastrës. “Veliaj bëri martesën në Kalanë e Gjirokastrës dhe Trak Fest duhet të bëhej në gusht, ndërkohë që u bë ditën kur u martua ai”, tha Pollo. Ish-ministri demokrat akuzoi më tej edhe ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, se ka filluar të inspektojë Tiranën, me qëllimin që të gjejë një gabim të doktor Kosovës, për ta përdorur Erion Veliaj në fushatën e tij. “Ministri ka nisur të inspektojë Tiranën, që të gjejë një kleçkë për të kapur një gabim të Halim Kosovës, që më pas atë t’ia përdorë Veliaj në fushatë. Ka filluar të merret dhe me gratë tani, duke shkuar në spital gjasme për inspektime”, tha ai.

Në përgjigje të ligjvënësit demokrat , socialisti Taulant Balla tha se nuk mund të flasin për martesën deputetët që kanë konflikt interesi. “Deputeti Pollo foli këtu për shumë gjëra, mes të cilave edhe për martesën e familjen. Deputetët që kanë konflikt interesi me martesën nuk bëjnë mirë të përmendin familjen dhe martesën në seancë”, u përgjigj Balla.

Bylykbashi, akuza për punësimet, reagon Harito: Ke probleme me kujtesën

Mazhoranca dhe opozita janë përplasur dje në seancë plenare për punësimet në administratën publike. Akuzat kanë ardhur fillimisht nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili ndërsa diskutohej ligji “Për standardizimin”, akuzoi qeverinë për largimet nga puna të 7 mijë punonjësve të administratës, si dhe për kërcënimet që u bëhen atyre në lidhje me mbajtjen e një vendi pune përmes provimeve. Duke u referuar edhe tek zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Bylykbashi akuzoi Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike se po regjistron gjithë punonjësit e tij në Durrës, për shkak të frikës së qeverisë nga humbja në këtë qytet. “Para zgjedhjeve qeveria po i bën presion punonjësve të shtetit, përmes testimeve të supozuara, duke u bërë kështu presion të hapur për vendin e punës dhe duke i ndaluar që të përfshihen në fushatë zgjedhore për të kontribuuar në partinë që ata duan. OSHEE-ja po i merr e po i regjistron nëpunësit e saj në Durrës që të votojnë atje më 21 qershor. Kërcënimi nuk qëndron në faktin se po nuk u mbushën kutitë në 21 qershor do ikin nga puna, por ata po përdoren për fushatë e më pas do të flaken tutje“, tha Bylykbashi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i mazhorancës, përmes ministres Milena Harito dhe deputetes Vasilika Hysi. “Meqë u fol për standardet në administratë, po ju kujtoj standardet tuaja. Cilat standarde vendosët për mbrojtjen e punonjësve në publik apo privat? Ju keni miratuar ligje për t’u dhënë mundësi bizneseve pranë jush që të regjistroheshin në vendet ku nuk paguanin taksa. Po për arsimin çfarë standardesh ofruat apo krijimin e universiteteve private që prodhonte kartonë. Mos flasim për zgjedhjet. A keni dëgjuar ndonjë punonjës të administratës suaj, se janë tuajët ata se ne nuk i kemi hequr, a i kemi detyruar të vijnë në fushatë e t’i telefonojmë për të shkuar në fushatë gjatë kohës së punës. Ju keni marrë të afërmit tanë në telefon dhe i keni nxjerrë në fushatë kur ishit në mazhorancë”, tha Hysi. Ndërsa ministrja Harito tha se, “Bylykbashi ka probleme me kujtesën mesa duket, se po shpif në mënyrë të patolerueshme. Janë futur në shërbimin civil 10 mijë vetë që janë gjetur në punë. Nëse keni probleme me memorien të paktën hapni veshët. Ajo që në gjetëm ishte një mori me vendime gjykatash të pazbatuara për të cilat ne kemi bërë një projektligj që i shlyem të gjithë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat