Haxhinasto: Aeroporti i Kukësit do të ulë çmimin e biletave për shqiptarët

Shqipëria

Haxhinasto: Aeroporti i Kukësit do të ulë çmimin e biletave për shqiptarët

Më: 7 maj 2015 Në ora: 08:44

Intervista e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto në “Ora e Intervistës”, nga Ilva Tare në Ora News.


“…Në rastin e një marrëveshjeje, edhe Aeroporti i Kukësit mund të hyjë në funksion dhe kështu do të hapet mundësia për të ndërtuar edhe 2 aeroporte në jug të vendit, pra do kemi liberalizim të tregut dhe hyrjen e operatorëve, që ne aktualisht nuk i kemi, ato të kompanive low-cost” .



Kemi lajm në lidhje me negociatat me TIA-n?


Besoj që është përmendur aq shumë në media edhe nga ana ime, sa nuk di sa mund të përbëjë lajm. Ne jemi në proces negocimi, siç e kam thënë disa herë, por jemi të kujdesshëm të ruajmë seriozitetin e negociatave dhe besoj se jemi në rrugën e mbarë për të arritur në një marrëveshje për të kënaqur të dyja palët. Sigurisht që media dhe publiku mund të kenë interes të lartë, por unë dua të tregohem i kujdesshëm dhe diskret për mos të dhënë afate pa u mbyllur kjo marrëveshje.


Pra jeni afër një marrëveshjeje, apo nuk ka marrëveshje ende?


Kemi bërë progres të ndjeshëm për arritjen e një qëndrimi të përbashkët, por sigurisht ka nevojë të diskutohen më tej, pasi bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme, siç është për shembull shtyrja e afatit të kontratës koncesionare, çka do të thotë që ka edhe ajo faturat e saj, ndaj duhet t’i japim procesit seriozitetin maksimal.


Në fakt ky televizion, emisioni “Të Paekspozuarit” është marrë me historinë e kontratës koncesionare dhe për pasojë, edhe me analizën e çmimit të biletës. A do ketë ndikim kjo marrëveshje në uljen e çmimit të biletave?


Pa diskutim që po, sepse çështja kryesore e këtyre negociatave ka të bëjë me heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare, që do të thotë se në rastin e një marrëveshjeje, edhe Aeroporti i Kukësit mund të hyjë në funksion dhe kështu do të hapet mundësia për të ndërtuar edhe 2 aeroporte në jug të vendit, pra do kemi liberalizim të tregut dhe hyrjen e operatorëve, që ne aktualisht nuk i kemi, ato të kompanive low-cost.


Që do të thotë, kompanitë low-cost do të pranojnë të hyjnë dhe në kushte ekskluziviteti?


Në fakt, këto kompani kanë ardhur për bisedime dhe kanë kërkuar tarifa të reduktuara dhe nga Aeroporti “Nënë Tereza”, gjë që po shqyrtohet prej tyre. Por unë do të thosha se tregu i aviacionit civil në Shqipëri është i hapur dhe sot ka shumë kompani e itinerare të reja, që kanë ndikuar në një ulje të ndjeshme të tarifave të biletave dhe kështu, me një llogaritje të kalkuluar së fundmi nga një mesatare prej 438 euro/biletë në vitin e 2012, sot jemi në nivelet e 230 euro/biletë, pra kemi një reduktim të ndjeshëm të çmimit të biletës.


Në rast se marrëveshja përfundon, keni vendosur ku do të ndërtohen 2 aeroportet e jugut?


Kemi diskutuar për një kohë të gjatë për një aeroport në jug, në Sarandë, dhe së fundmi në procesin e negociatave kemi diskutuar dhe për një aeroport në Vlorë. Do të duhet të rillogariten efektet dhe impaktet për TIA-n për këtë të fundit, ndaj duhet të respektojmë kohën e nevojshme që i duhet kompanisë TIA për këtë gjë.


Ka disa zëra, që kam dëgjuar, se së shpejti jemi afër dhënies së tij, kur ka një afat që do të jepet me koncesion Rruga e Kombit?


Këto janë afate ligjore që i ka ligji për koncesionet. Në këtë moment kemi mbaruar fazën e parë, kompanitë e interesuara kanë paraqitur përshkrimin teknik të kapaciteteve të tyre dhe të kompanive të tyre.


Dhe në short-list, sa kompani janë aktualisht?


Aktualisht janë 4 kompani.


Janë shqiptare apo të huaja?


Janë kompani të huaja dhe pas kalimit të fazave, sipas ligjit të koncesioneve, unë besoj e jam optimist se në shtator do të kemi edhe fituesin e këtij koncesioni. Sigurisht që ky fitues do të jetë menjëherë i gatshëm për të realizuar investime, për të sjellë këtë rrugë në një situatë krejtësisht tjetër, por jo domosdoshmërisht në atë që duhet bërë, pasi ka nevojë dhe për investime të tjera, që kanë të bëjnë me daljet nga autostrada dhe për hyrjet në rrugë, me qëllim që të lidhen komunitetet e kësaj rruge.


Besoj se jeni i vetëdijshëm për zhurmën që shkaktoi tarifa prej 5 eurosh, që u përfol që të vendoset nga ky koncesion, është ende në fuqi kjo shifër?


Jam i vetëdijshëm, por mund të them që kemi ruajtur një nivel tarife më të ulët se mesatarja e rajonit. Kjo është normale dhe nuk kemi pse të çuditemi nga vendosja e një regjimi të tillë, nga një tarifë për rrugën, praktikë e njohur ndërkombëtare. Kjo rrugë ka nevojë të mirëmbahet dhe fatura e mirëmbajtjes është kosto jashtëzakonisht e lartë.


Rruga e Arbrit, gjithashtu një rrugë e rëndësishme, një aks i premtuar, më në fund është firmosur një kontratë…pati polemika nga opozita për mungesë transparence. Si është e vërteta?


Sot kemi të miratuar një ligj, që e përjashton këtë rrugë nga procedurat standarde të koncesionit dhe u jep të drejtën të negociojnë tri ministrive, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë negocimin e një kontratë, pasi ne deshëm të tregoheshim, do të thosha luajal, me këtë ofertë që vinte nga pala kineze, e cila sillte paratë e veta, kishte bërë kërkesën dhe kishte arritur të siguronte financimin nga ‘Exim Bank’, që është banka kineze në mbështetje të investimeve jashtë Kinës. Dhe sigurisht nuk mund të organizonim një proces, i cili do të kishte synim të nxirrte fituese këtë si kompani, pasi kjo erdhi me paratë e saj, arriti në një konkluzion paraprak se në çfarë formule mund të aplikohej në ndërtim e kësaj rruge dhe për këtë seriozitet menduam se mënyra më e ndershme është që kjo të bëhet me ligj, me transparencë të plotë përpara publikut, ja ku është oferta kineze, ja çfarë kemi arritur ne dhe besoj se kështu do të vazhdojë.


Ka afate se kur do fillojnë punimet, kur përfundojnë, kushtet që ka vendosur dhe pala kineze?


Qëllimi është që në fillim të vitit të ardhshëm kompania të fillojë ndërtimin.


Kjo është edhe pyetja e fundit në fakt. Për zgjedhjet e 21 qershorit, ju kur thoni maksimalizim të rezultateve, thoni të njëjtin rezultat të 2013-s apo ndonjë rritje për LSI-në ?


Sigurisht që politikanët duhet të përmbahen në parashikimet zgjedhore, por unë shikoj frymën që ekziston, pasi jam në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, me qytetarët, jam i ngarkuar në zonën e Elbasanit si sekretar politik i të gjitha njësive, bashkive, duke filluar nga Prrenjasi, Librazhdi, Elbasani, Gramshi, Cërriku e Peqini, dhe besoj se do të kemi një rikonfirmim të rezultatit, në mos një rritje të tij.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat