Rama: Shqipëria do të ketë një polici evropiane

Shqipëria

Rama: Shqipëria do të ketë një polici evropiane

Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:54

Për kreun e qeverisë Edi Rama, shifrat janë treguesi më i mirë i transformimit të Policisë së Shtetit. Përmes një pasqyre të dhënash të marra që nga viti 1990 deri më 2015-n, kryeministri Rama argumentoi se niveli i kriminalitetit në Shqipëri është nën mesataren e krimit në rajon, në këto 18 muaj të qeverisjes së “Rilindjes”.

Rama publikoi pasditen e djeshme shifrat për krimin në retrospektivë për 25 vjet, për të sjellë para opinionit publik dhe skeptikëve, efikasitetin e Policisë së Shtetit dhe performancën e saj gjatë qeverisjes së mazhorancës. Ai u shpreh se “s’ka asnjë dyshim që ka ende shumë më shumë për të bërë, nga ç’është bërë në këta 18 muaj, që Shqipëria të ketë një polici evropiane dhe që polici shqiptar të ketë figurën që duan e meritojnë qytetarët e këtij vendi”.

Në këtë pasqyrë janë shifrat pa koment që flasin vetë nëse Shqipëria po merr kthesën në drejtimin e duhur drejt transformimit në një vend plotësisht të sigurt, ku shifrat e kriminalitetit të jenë nën mesataren rajonale dhe në mesataren evropiane, theksoi Rama.

“Për muajin prill të vitit 2015, duke marrë vrasjet me dashje dhe vrasjet nga pakujdesia, rezulton se janë 72.7% më pak vrasje se në vitin 2014 dhe 78.6% më pak vrasje se në vitin 2013”, shkruan Rama.

Po ashtu, kryeministri Rama rendit të dhënat e vrasjeve në tremujorit të parë janar- mars, për të konkluduar se janë 55.8% më pak vrasje se në vitin 2014. Numri i vrasjeve me dashje apo i vrasjeve nga pakujdesia, në tremujorin e parë të 2014-s kanë qenë 32, ndërsa numri i vrasjeve në tremujorin e 2015-s, 16.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat