Dako reagon ndaj akuzave të PD-së për manipulim

Shqipëria

Dako reagon ndaj akuzave të PD-së për manipulim

Më: 6 maj 2015 Në ora: 20:38

Vangjush Dako ka reaguar gjatë ditës së sotme ndaj deklaratave të deputetit të PD Edmond Spaho, i cili e kishte akuzuar se po ngre një skemë manipulative për të fituar zgjedhjet.

Sipas Dakos “PD është në panik nga humbja e pritshme në 21 qershor” ndaj edhe reagon në këtë mënyrë.

Kryetari i bashkisë së Durrësit i bëri thirrje institucioneve që t’i hetojnë deklaratat e PD.

Sipas Dakos “PD tenton të hedhë baltë mbi fushatën e ASHE”.

“E vërteta është se kam dëgjuar edhe une raste të spostimeve të tilla, të cilat përkonin me harkun kohor kur kandidati i vetshpallur i Partisë Repubikane filloi fushatën e lënë përgjysëm për të garuar kundër meje, duke përdorur punonjesit e Federatës së Futbollit, të cilët kanë zgjedhur të shpërngulen duke u regjistruar si banorë të Shijakut, Rrashbullit, Sukthit dhe Durrësit” – tha Dako.

Ai u shpreh se distancohet nga çdo akt joligjor dhe bëri të ditur se nga skema për të cilën akuzohet, ka përfituar edhe vetë kandidatja e opozitës që garon për bashkinë e Durrësit.

Deklaratat e Spahos

Më herët Spaho ishte shprehur se “Mekanizmi për ta bërë këtë është regjistrimi në listat e zgjedhësve të Bashkisë Durrës, i njerëzve me bindje të majta, që aktualisht banojnë në territorin e bashkive të tjera, duke u ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin e gjendjes civile dhe konvertuar ata në banorë të Bashkisë së Durrësit.

Skema ka filluar të zbatohet në muajin mars kur Vangjush Dako u garantua që do të jetë ai kandidati i Partisë Socialiste pë Bashkinë Durrës.Sikurse shikoni në grafik, hyrjet e banorëve të rinj në territorin e Bashkisë së Durrësit nga muaji Qershor 2013 deri në janar 2015 janë mesatarisht 183 persona në muaj.

Për të bërë levizjen e vendbanimit duhet që të kesh një banese së paku të marrë me qera. Këtu hyn në skeme Drejtori i Ndërmarrjes së Plazhit në Bashkinë e Durrësit, Alfred Dhuli, vartës i Vangjush Dakos i cili u ofron atyre strehim provizor në pronat e Bashkisë Durrës në Plazh dhe Currila, me kontrata provizore, pa pagesë, dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak.

Ai ka bërë kontrata ku ka sistemuar edhe dy familje me 8 anëtarë në 15 metra katror sipërfaqje banimi. Krahas tij, strehim provizor ofron ortaku në biznesin e ndërtimit i Vangjush Dakos, anëtar i Këshillit Bashkiak, i cili u “shet” të ardhurve të rinj apartamente ende të pandërtuara dhe këto kontrata shërbejnë për të realizuar ndryshimin e vendbanimit.

Asnjë prej të ardhurve rishtas në Durrës për të votuar në zgjedhjet e 21 qershorit nuk banon në vendbanimin e ri në Durrës sikurse do ta shihni edhe në regjistrimet filmike që kemi bërë”, tha Spaho.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat