Veliaj: Tabakun dhe Bogdanin i detyron Berisha të më shajnë

Shqipëria

Veliaj: Tabakun dhe Bogdanin i detyron Berisha të më shajnë

Më: 6 maj 2015 Në ora: 15:43

Qytetarët nuk do të trajtohen më disa si të njerkës dhe disa si të nënës vetëm përmes një sistemi të ndershëm, ku të gjithë do të jenë të barabartë. Kandidati i Partisë socialiste, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me tregtarët në një zonë të kryeqytetit.

Veliaj dëgjoi shqetësimet e tyre, që lidheshin kryesisht me gjobat dhe kamatvonesat që një pjesë e bizneseve i kanë marrë pa të drejtë, për shkak të keqmenaxhimit të bashkisë.

"Ne premtuam dhe bëmë që njerëzit i trajtuam njësoj, jo si disa të nënës dhe disa të njerkës. Por në bashki ndodh krejt e kundërta. Nuk rriti të ardhurat 2.5 herë ashtu siç premtoi. Unë kam takuar qindra biznese që thonë se taksat dhe detyrimet duhet t’i paguajnë të gjithë, por jo sipas ngjyrave partiake. Për ne qytetarët nuk ndahen sipas partive. Nëse do kishim një sistem të ndershëm ku të gjithë të paguajnë njësoj dhe të gjithë kanë detyrime njësoj dhe kjo do të mundësonte krijimin e një shoqëri te drejtë dhe një zhvillim të madh. Unë të gjitha i kam me provë në punën time si ministër i mirëqenies sociale dhe rinisë. Me 120 inspektorë biznesi në tiranë do duhej të Ishte Lule, ndërkohë jemi në një situatë krejt tjetër. Por çfarë bëjnë ata gjithë ditën, hanë bukën e njerëzve kot. Për ne qytetarët nuk ndahen nga partia”, tha Veliaj.

Lidhur me tregtinë nëpër rrugët e Tiranës, Veliaj u shprehu se qyteti është një negociatë e lirive të përbashkëta ku secili duhet të respektojë lirinë e tjetrit.

“Këtu nuk mund të funksionojë si në xhungël, ku më i forti mbijeton. Ne do mundësojmë që çdo zonë në një ditë të caktuar të ketë ditën e saj të tregut. Si përshembull, tregu i kinostudios, do të bëhet një ditë në jave dhe aty do të vijnë fermerë të cilët do të shesin produktet e tyre aty. Këto nuk do të jenë fermerë vetëm nga kjo zonë por nga e gjithë Tirana apo edhe nga qytete të tjera. Por ama 6 orë të asaj dite do të ketë treg vetëm në atë zonë. Kjo është një praktikë që ndiqet në shumë vende të botës. Kjo i jep jetë komunitetit, mundëson një rritje të bashkëjetesës në komunitet. Unë qoftet që qelbin erë, që e gjithë Tirana është mbushur nuk i dua”, u shpreh Veliaj.

Veliaj: Jorida Tabaku dhe Gert Bogdani janë shokët e mi të gjimnazit

Veliaj nuk bëri akuza ndaj kundërshtarit, por kujtoi se akuzat që drejtohen ndaj tij janë të nxitura nga ish-kryeministri Sali Berisha. Kandidati i majtë për Tiranën deklaroi se dy deputetët demokratë, Jorida Tabaku dhe Gert Bogdani, janë shokët e tij të gjimnazit, të cilët tani detyrohen nga Berisha të hedhin akuza ndaj tij.

“Jorida Tabaku dhe Gert Bogdani janë shokët e mi të gjimnazit, madje njëri prej tyre ka qenë edhe në shtëpinë time, e ata do dalin dhe do më shajnë pas pak. Por dihet se kush është pas tyre. Ma kanë thënë edhe vetë. Është një plak 70-vjeçar që u thotë atyre që ik shaj shokët e ngushtë të gjimnazit. Edhe Jorida dhe Gerti vetë do fitojë nga këto. Ky plak ka 20 vet që vetëm këtë punë bën” tha ndër të tjera Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat