Integrimi, Gjosha: Në rrugën e duhur Paloka: Rama po i bën presion BE

Shqipëria

Integrimi, Gjosha: Në rrugën e duhur Paloka: Rama po i bën presion BE

Më: 5 maj 2015 Në ora: 23:20

Mbledhja e sotme e Komisionit për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate midis deputetit socialist Taulant Balla dhe atij demokrat Edi Paloka në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama për bashkim të Shqipërisë me Kosovën.

Paloka e ka cilësuar këtë deklaratë një presion që i behet Bashkimit Europian nga Kryeministri për pranim të Shqipërisë si anëtare, duke pyetur rreth kësaj Ministren Klajda Gjosha.

Deputeti Taulant Balla ka marrë fjalën për ti kërkuar deputetit Paloka që të mos deformojë deklaratat e kryeministrit Rama, duke e cilësuar si të pahijshme interpretimin dashakeq të saj. Por Paloka ka reaguar me fyerje ndaj Taluant Ballës dhe kryeministrit Rama.

“Më vjen keq që deklaratat e Kryeministrit keqintepretohen nga Kryetari i grupit parlamentar të PD, i cili flet si të ishte Kryeministër i Serbisë. Ne e duam Kosovën dhe duam të njihet. Por kemi thënë gjithashtu bashkim me Kosovën vetëm në kuadër të integrimit,”- tha Balla.

Reagimi i Palokës: “Po ti si flet? Si piktor? Mos më ngatërron me piktorin? Nuk jam piktor unë. E ka thënë Kryeministri juaj këtë, ai nuk është njeri normal”

Është dashur ndërhyrja e kryetares së këtij komisioni Majlinda Bregu për të qetësuar zërat, e cila i kërkoi deputetëve që të mos ngatërronin çështjet kombëtare me qëllimin e mbledhjes, Integrimin Evropian.

Më parë, Ministrja Gjosha kishte deklaruar se qeveria shqiptare ka realizuar tashmë 88% të masave të nevojshme për të merituar rekomandimin e BE në progres raportin e ardhshëm të Tetorit. Sipas saj, reforma në administratë, ajo në drejtësi dhe lufta ndaj narkotikëve janë arritje të monitoruara e vlerësuara pozitivisht nga BE.

E pyetur nga deputetët demokratë nëse ka një datë për rekomandimin e Be për shqipërinë, Gjosha deklaroi se i rëndësishëm është procesi dhe fakti që Shqipëria po vijon me gjithë forcat e saj për rrugën drejt integrimit.

Gjosha i bëri apel shqiptarëve për respektim të zonës Shengen, duke pohuar se nuk do të ketë azil për askënd, ndërsa siguroi se qeveria po lufton për zhvillimin ekonomik me qëllim punësimin dhe jetesën në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat