Nëna e Dritan Lamaj: Nëse shteti nuk zbardh vrasjen, do shkoj në Hagë

Shqipëria

Nëna e Dritan Lamaj: Nëse shteti nuk zbardh vrasjen, do shkoj në Hagë

Më: 5 maj 2015 Në ora: 14:11

Nëna e kryekomisarit Dritan Lamaj prononcohet për herë të parë për vrasjen e djalit të saj pas vendimit të gjykatës, e cila e nxori të pafajshëm të dyshuarin kryesor Arben Frroku. Nëna e të ndjerit i bën thirrje strukturave të shtetit të zbardhin vrasjen e djalit të saj, i cili u ekzekutua me 12 plumba në 24 shkurt të vitit 2013.

Në një prononcim për “News 24’, nëna e Lamajt thotë se ia ka lënë shtetit në dorë zgjidhjen e vrasjes së të birit, por shton se nëse vazhdon të mos gjejë drejtësi do ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Hagës.

"Kërkoj që të zbardhet çështja e djalit tim. Unë nuk vras dhe nuk hakmerrem dot, ia kam lënë shtetit në dorë. Nëse përgjegjësit nuk dalin para drejtësisë, atëherë do t’i drejtohem Gjykatës së Hagës”, shprehet nëna e kryekomisarit Lamaj. Dritan Lamaj u ekzekutua 100 metra larg shtëpisë së tij, teksa ishte në makinë.

Për krimin u arrestua biznesmeni Arben Frroku, i cili fitoi pafajësinë më 3 prill, 1 vit e 4 muaj pas prangosjes së tij. Gjykata doli në përfundimin se në momentin kur ndodhi krimi, Frroku ndodhej rrugës për në Korçë, duke hedhur poshtë provat e akuzës.

Bashkëshortja e kryekomisarit Dritan Lamaj reagoi menjëherë pas lirimit të të akuzuarit Arben Frroku, ku përmes një mesazhi në ‘’Facebook’’, Anila Lamaj shprehu bindjen se edhe pas zhgënjimit, do vijë dita e saj e fitores.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat