Pezullohet shefi i Krimeve që kërcënoi me pistoletë protestuesit

Shqipëria

Pezullohet shefi i Krimeve që kërcënoi me pistoletë protestuesit

Më: 5 maj 2015 Në ora: 14:06

Shefi i Krimeve të Kukësit, i cili u përfshi dje në një skandal me protestuesit pasi ushtroi dhunë ndaj tyre, është pezulluar nga puna. Në një video shihet qartë që shefi i krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës, Albion Gjitoni kërcënon me armë protestuesit dhe ushtron dhunë fizike dhe verbale ndaj tyre.

Lajmin për pezullimin e tij nga detyra u njoftua nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Tahiri e cilëson si të papranueshme incidentin e ndodhur dje në tejkalim të ligjit, për të cilën siguroi se do të hetohet deri në fund.

Ministri Tahiri i cili mbron protestën e qytetarëve, pavarësisht se ishte e paligjshme, shprehet i bindur se hetimet e policisë dhe të Prokurorisë do të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë.

“Hetimi disiplinor i Policisë së Shtetit, Shërbimi i Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm, do hetojnë plotësisht këtë rast, si dhe do rishikohen aktet dhe procedurat për zbatim në rastet e tubimeve dhe masave policore”, shkruan Tahiri.

Gjitoni është filmuar edhe duke goditur një prej organizatorëve të protestës, i quajtur, Nderim Lushi. Protestuesit tentuan të bllokonin qarkullimin në “Rrugën e Kombit”, me kërkesën për faljen e kamatëvonesave të faturave të papaguara të energjisë elektrike.

Deklarata e plotë e minsitrit Saimir Tahiri:

Pavarësisht se protesta e disa qytetarëve në Kukës ishte e paligjshme dhe e dhunshme, punonjësi i Policisë së Shtetit është pezulluar deri në hetimin e plotë të ligjshmërisë së veprimeve dhe zbatimit të procedurave të parashikuara.

Pjesëmarrja me armë në një tubim është e paligjshme. Ashtu siç është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve të policisë që tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo.

Detyrimi i punonjësve të policisë për të respektuar ligjin, është më i madh se liria që çdo qytetar mund t’i japë vetes për të shkelur ligjin.

Hetimi disiplinor i Policisë së Shtetit, Shërbimi i Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm, do hetojnë plotësisht këtë rast, si dhe do rishikohen aktet dhe procedurat për zbatim në rastet e tubimeve dhe masave policore.

Ashtu siç besoj, hetimet e Prokurorisë do nxjerrin përgjegjësitë përkatëse, pa kursyer kërkënd.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat