Voltana Ademi i përgjigjet Ramës: Do më njohësh mirë më 21 qershor

Shqipëria

Voltana Ademi i përgjigjet Ramës: Do më njohësh mirë më 21 qershor

Më: 5 maj 2015 Në ora: 11:35

Kandidatja e PD për kryetare të bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi iu përgjigj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit, nuk e njihte dhe nuk e kishte parë asnjëherë atë si deputete në kuvend.

E ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Ademi tha se së pari Rama tregon vetë se sa pak e frekuenton kuvendin dhe së dyti “Rama do të më njoh mirë më 21 qershor, kur të fitoj garën dhe do jem kryetare e bashkisë së Shkodrës”.

Ademi tregoi siguri në fitoren e saj në garën elektorale .

“Unë e njoh personalisht kundërshtaren time, kandidaten e PS, Keti Bazhdari dhe e vlerësoj si menaxhere biznesi, por ajo nuk e njeh pushtetin lokal, ndryshe nga unë që kam qenë prefekte dhe nënkryetare e bashkisë dhe i njoh mirë problematikat”.

Ademi deklaroi se një nga mbështetësit kryesorë në këtë fushatë në Shkodër është edhe ish-kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli duke e vlerësuar atë si një nga produktet politike më të mira që ka nxjerrë Shkodra.

“Komentet në media se Topalli nuk e mbështet apo ka konflikte me kryetarin Lulzim Basha janë fjalë kafenesh” tha Ademi.

Lidhur me debatet brenda PS me deputetin Tom Doshi, Ademi e anashkaloi komentet duke u shprehur vetëm se duhet të pritet vendimi i gjykatës për të folur se si është e vërtëta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat