Nazime Visha nuk përfiton amnistinë

Shqipëria

Nazime Visha nuk përfiton amnistinë

Më: 5 maj 2015 Në ora: 10:23

Gjykata e Tiranës ka pezulluar dje kërkesën e Nazime Vishës për amnisti. Ajo kishte zgjedhur nëpërmjet një deklarate që të përfaqësohej në gjykatë nga avokati i saj Hysni Beti. Por, as ky i fundit nuk u paraqit në seancën e djeshme. Gjykata vendosi që ta pushojë këtë çështje pasi nga pala e kërkueses dhe avokatit të saj nuk pati interes për të vazhduar këtë çështje pasi nga ana juridike ishte e pamundur përfitimi i kësaj amnistie.

Nazime Visha iu drejtua 20 prill Gjykatës së Tiranës me kërkesën për amnisti, për të përfituar nga neni 71 i Kodit Penal. Ky nen thotë se, organi kompetent përjashton nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht apo pjesërisht e dënimit ose bën zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë. Amnistia shtrihet për ato vepra penale të kryera deri një ditë para shpalljes së saj, veç rastit kur në aktin përkatës vendoset ndryshe. Kërkesa e saj lidhej me uljen e dënimit për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” për të cilën është dënuar me 2 vjet burg.

Fillimisht Nazime Visha u dënua me 15 vjet burg për vrasje me paramendim dhe 2 vjet burg për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Duke pasur një gjykim të përshpejtuar, sipas nenit 406 të Kodit Penal, asaj ju ul 1/3 e dënimit dhe për të dyja këto vepra penale ajo u dënua vetëm me 10 vjet burg. Që prej datës 13 gusht 2012, Nazime Visha gjendet pas hekurave, pasi u arrestua në flagrancë për vrasjen e 45 –vjeçarit Fiqiri Muçaj, baba i pesë fëmijëve, me të cilin ajo kishte pasur një lidhje intime.

Më vonë Nazimeja tregoi se, Fiqiriu duke përfituar nga njohjet familjare, e kishte abuzuar seksualisht, që kur ishte e mitur. Sipas saj, Fiqiriu e kishte ndarë nga i fejuari dhe kishte tentuar ta trafikonte. Në datën 8 maj 2013, Gjykata e Tiranës dha dënimin me 10 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake” për Nazime Vishën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat