KQZ çon Dakon në Prokurori, shtoi në lista 2186 zgjedhës nga Tirana

Shqipëria

KQZ çon Dakon në Prokurori, shtoi në lista 2186 zgjedhës nga Tirana

Më: 5 maj 2015 Në ora: 09:00

KQZ i dërgoi raportin e Telitit Prokurorisë. Në të konstatohej se më shumë se 2 mijë persona në dy muajt e fundit ishin transferuar nga Tirana në Durrës. Raporti i Telitit mori 5 vota.

Kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit dhe njëherësh kandidat i mazhorancës për një mandat të tretë për këtë bashki, do duhet që të përballet me drejtësinë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka denoncuar në Prokurori atë për shkelje të Kodit Zgjedhor dhe ligjit “Për organizimin e Pushtetit Vendor”, duke shtuar në dy muajt e fundit afro 2 mijë votues në listat e zgjedhësve të kësaj bashkie.

Vendimi është marrë dje nga KQZ-ja me shumicë votash, ku pro, veç përfaqësuesve të djathtë në këtë institucion, ka votuar edhe nënkryetari Denar Biba. Ndërkohë që dy përfaqësuesit e tjerë të së majtës në KQZ kanë votuar kundër. Në fakt, vendimi i KQZ-së ishte që të miratojë raportin e përgatitur nga eksperti i PD-së, Armand Teliti, i cili pasi konstatonte shkeljet e vërejtura në listat e Bashkisë Durrës, i rekomandonte KQZ-së që gjetjet t’i çonte në Prokurori për hetime të mëtejshme.

Siç konstatonte Teliti në raportin e vet, gjatë dy muajve të fundit në listat e zgjedhësve në Bashkinë Durrës është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të votuesve në krahasim me dy vite më parë, që shkonte përtej ritmit normal të rritjes natyrore. Vetëm gjatë periudhës 10 mars deri më 25 prill janë regjistruar në Bashkinë e Durrësit 2186 zgjedhës, veprim për të cilin auditi teknicien, Armand Teliti tha se përgjegjës është kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako.

Ndaj dhe pasi janë bërë verifikimet, është konstatuar se bëhet fjalë për afro 2 mijë persona, të cilët ishin bërë votues për herë të parë në këtë bashki. Pas hetimeve, ai thekson në raportin e vet se u bë e mundur të zbulohet personat e shtuar në listë kishin qenë më parë banorë të rrethit Tiranë. Kështu, Teliti në raport thekson se ata kryesisht kanë qenë banorë të Njësisë numër 4 në kryeqytet dhe nga komuna Prezë.

Gjithmonë sipas raportit, të gjithë këta persona pasi janë shkëputur nga gjendja e tyre civile në Tiranë, janë zhvendosur në Durrës, ndërkohë që shumica figurojnë se kanë si adresë banimi kabinat e plazhit në këtë qytet. Jo vetëm kaq, por Teliti vëren në raport se 90 për qind e kontratave të qiramarrjes së kabinave të plazhit janë bërë tek i njëjti noter.

Kjo e vë në fakt kreun aktual të Bashkisë Durrës në një konflikt të hapur ligjor, pasi lëvizja e këtyre zgjedhësve është bërë e organizuar dhe se kontratat e qiramarrjes së kabinave të plazhit i lëshon pushteti vendor që drejtohet prej tij. Duke e konsideruar këtë një krim elektoral, Teliti i kërkoi KQZ-së të ndërhyjë për të mos rrezikuar zgjedhjet në Durrës. Përfaqësuesit e partive politike kërkuan që këto veprime të hetohen, ndërsa KQZ-ja vendosi t’i drejtohet prokurorisë për këtë çështje.

Në fakt, nëse këto konstatime janë të vërteta, atëherë kjo tregon se socialistët në Durrës i tremben konkurrimit, pasi nisur edhe nga rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, rezultati duket shumë i ngushtë. Por nga ana tjetër, fakti që këta 2180 persona janë marrë nga Tirana dhe janë dërguar në Durrës, tregon se e majta në Tiranë e konsideron fitoren të sigurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat