Kompensimi i pronave, shtyhet me 6 muaj dorëzimi i dosjeve

Shqipëria

Kompensimi i pronave, shtyhet me 6 muaj dorëzimi i dosjeve

Më: 5 maj 2015 Në ora: 08:59

Shtyhet me 6 muaj afati i dorëzimit të dosjeve për trajtimin e çështjeve të pronësisë. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar ndryshimin në ligj, i cili iu jep të drejtën pronarëve që të dorëzojnë dosjet me dokumente pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave deri në dhjetor të 2015.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”, propozohet në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të së drejtës kushtetuese të pronësisë, për të siguruar rivendosjen e saj, në rastet e heqjes në mënyrë të padrejtë, në përputhje me parimin e sigurisë juridike dhe shtetit të së drejtës, si dhe të ushtrimit të së drejtës së shpronësimit të pronës përkundrejt një shpërblimi të drejtë.

Me miratimin e këtij projektligji synohet t’u jepet mundësia ish-pronarëve të pasurive të paluajtshme, për të vazhduar dhe ushtruar të drejtat e mohuara të pronësisë, duke zgjatur afatet për paraqitjen dhe trajtimin e kërkesave të tyre për njohje, kthim dhe kompensim pasurie. Gjatë viteve 2013 dhe 2014 është evidentuar një shtim i ndjeshëm i numrit të kërkesave për njohje dhe kthim prone të rivendosura në afat, bazuar në vendimet gjyqësore.

Për rrjedhojë, shqyrtimi i tyre nuk mund të përfundojë brenda afatit të parashikuar nga ligji 9235/2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve”, të ndryshuar. Në këto kushte, lind si domosdoshmëri shtyrja e afatit të përfundimit të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave përtej datës 30.4.2015, të parashikuar në ligjin nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve”, të ndryshuar, duke përcaktuar si datë të përfundimit të tij datën 30.10.2015.

Kjo nismë propozohet në kushtet kur kuadri ligjor për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave është duke u rishikuar dhe përgatitur dhe shumë shpejt do të përcillet për konsultim.

Deri në përfundimin e procesit të shqyrtimit dhe miratimit të projektligjit të ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave”, duke qenë se afati i ligjit në fuqi është deri më 30.4.2015, në mënyrë që AKKP-ja të ushtrojë detyrat dhe përgjegjësitë ligjore, në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të së drejtës kushtetuese të pronësisë, për të siguruar rivendosjen e saj, në rastet e heqjes në mënyrë të padrejtë, në përputhje me parimin e sigurisë juridike dhe shtetit të së drejtës si dhe të ushtrimit të së drejtës së shpronësimit të pronës, përkundrejt një shpërblimi të drejtë, propozojmë shtyrjen e afatit të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, për një afat 1-vjeçar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat