“Fëmijët në rrugë”, nëna: Mbijetojmë duke mbledhur kanoçe. Mund të bëj çdo punë por nuk na afrojnë

Shqipëria

“Fëmijët në rrugë”, nëna: Mbijetojmë duke mbledhur kanoçe. Mund të bëj çdo punë por nuk na afrojnë

Më: 5 maj 2015 Në ora: 07:19

Rreth një vit më parë bashkëshorti i saj ndërroi jetë, duke e lënë të vetme me 5 fëmijë. U përpoq të gjente një punë e të kujdesej për fëmijët e vegjël, por pas shumë përpjekjesh nuk ia doli. Në këto kushte vendos që fëmijët t’i nxjerrë në rrugë për të mbledhur kanaçe, si e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura. E kjo pavarësisht vuajtjeve që ndiente si nënë.

“Burri më vdiq dhe më la me 5 fëmijë. Nuk kisha të ardhura dhe u detyrova të nxirrja fëmijët në rrugë për të mbledhur kanaçe. Mbijetonim duke mbledhur kanaçe , nuk kisha mundësi që ti dërgoja fëmijët në shkollë.”- tregon Margarita.


Rreth 3 muaj më parë do të ishte dita e saj me fat. Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve arrin të identifikojë rastin e Margaritës e krahas kësaj t’i ofrojë edhe ndihmë. Nuk ishte e vështirë të vendoste. Ajo donte që fëmijët e saj të linin rrugën e të shkonin në shkollë si gjithë të tjerët.

“Më ofruan ndihmë nga shteti për fëmijët. I hoqa menjëherë nga rruga dhe nuk u mendova dy herë.”- tregon Margarita.


Sot tre fëmijët nuk janë më në rrugë, por frekuentojnë rregullisht shkollën. “Lodheshim shumë duke mbledhur kanaçe. Na pëlqen më shumë që të shkojmë në shkollë”- shprehen fëmijët.


Por si identifikohen fëmijët në situatë rruge?

“Çdo identifikim bëhet direkt në terren. Pas identifikimit referohen në njësitë bashkiake.”- sqaron Denisa Bakiasi punonjëse për mbrojtjen e fëmijëve.


Pasi njësitë e terrenit identifikojnë fëmijë në situatë rruge, rastet referohen pranë punonjësve socialë të njësive për mbrojtjen e fëmijëve, në njësitë bashkiake përkatëse.

“Ne u ofrojmë mbështetje dhe paketa ushqimore. Ne synojmë fuqizimin e familjes.”- shprehet Stela Prendi, punonjëse sociale e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëse.


Rasti i Margaritës nuk është i vetmi. Pas 24 vitesh duke lypur në rrugët e Tiranës edhe Rabija ka vendosur të tërhiqet. Me ndihmën e disa organizatave ajo ka mundur të ngrejë një punë të vetën, ndërsa fëmijët e nipërit që lypnin me të, ka vendosur t’i çojë në shkollë.

“Lupa për 24 vjet rrugëve me nipat e mbesat, por u tërhoqa për fëmijët. Dua që ata të shkollohen”- shprehet Rabija.


Përtej rasteve të suksesit ende sot në rrugët e kryeqytetit nuk është e vështirë të gjesh familje që nxjerrin fëmijët e tyre në rrugë. Lypje, mbledhje kanoçesh apo shitje e objekteve të ndryshme janë disa nga aktivitetet më të shpeshta, ndërkohë që prindërit thonë se askush nuk i ka kontaktuar për t’iu ofruar ndihmë.


Edhe Matilda tregon se del çdo ditë për të lypur me fëmijët e bashkëshortin, ndërsa është e gatshme të bëjë çfarëdolloj pune për t’u larguar nga rruga.

“Mund të bëj çdo punë, por ne sna afrojnë. S’na kontaktuar asnjë strukturë shtetërore. Jam gati të pastroj edhe tualetet për fëmijët”- shprehet Matilda./balkanweb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat