Protesta në Kukës. Policia: Tubuesit tentuan t’i merrnin armën Shefit të Krimeve

Shqipëria

Protesta në Kukës. Policia: Tubuesit tentuan t’i merrnin armën Shefit të Krimeve

Më: 4 maj 2015 Në ora: 23:57

Disa banorë të Kukësit janë mbledhur sot në afërsi të Rrugës së Kombit për të protestuar lidhur me debitë dhe kamatëvonesat e energjisë elektrike duke kërkuar faljen e tyre. Por protesta e organizuar nga përfaqësues të shoqërisë civile ka hasur në kundërshtimin e policisë lokale sipas të cilës nuk është marrë asnjë leje për organizimin e këtij tubimi.

Protestuesit, të cilët ishin të paktë në numër, janë shpërndarë nga policia, e cila ka arrestuar organizatorin Nderim Lushin. Ky i fundit nuk ka pranuar të shoqërohet në polici nga forcat e rendit, kështu që ndaj tij është përdorur forca dhe është tërhequr zvarrë deri sa është futur në makinë. Ndërkohë, ka reaguar deputeti demokrat i qarkut Kukës, Flamur Noka, i cili ka denoncuar dhunën e ushtruar nga ana e policisë kundër protestuesve. “Dyshja Rama-Meta kërkon të tregojë dhëmbët. Kjo është një qeveri barbare. Ky është akti i fundit i demokracisë. Kjo është e patolerueshme”, – u shpreh Noka.

Sqarimi i plotë i Policisë së Shtetit

Në një deklaratë për shtyp thuhet se shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës kanë marrë masa për mbarëvajtjen e aktivitet politik të subjektit Partia Demokratike, në prezantimin e kanditatit për kryetar Bashkie që do zhvillohej në qytetin e Kukësit, në ora 10-00.

Nga ana e Policisë së Shtetit janë marrë masat për dislokimin e shërbimeve për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti në qytetin e Kukësit në vendin e quajtur “Gjashtë katshi”.

Gjithashtu nga shërbimet e komisariatit Kukës, janë marrë masat për mbikëqyrjen policore të qytetarit Nderim Lushi përfaqësues i Shoqërisë Civile, Kukës, i cili me 1 maj 2015 kishte kërkuar leje për të zhvilluar një protestë në rrugën e Kombit, me qëllim përmirësimin e kushteve social-ekonomike.

Kjo leje i është refuzuar këtij qytetari me argumentin se policia ishte e angazhuar për krijimin e kushteve normale për mbarëvajtjen e aktivitetit politik të subjektit Partia Demokratike dhe gjithashtu ky refuzim është bërë duke u nisur edhe nga thelbi i kërkesës që bëhej nga qytetari Nderim Lushi mbi bllokimin e Rrugës së Kombit.

Njëkohësisht nga informacionet policore ky individ kishte tendenca për të nxitur qytetarët që thërriste në tubim në akte dhune ndaj pronës publike dhe private.

Megjithëse kjo kërkesë i është refuzuar qytetarit Nderim Lushi, ai përsëri ka konsumuar veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime të paligjshme “, në sheshin para Prefekturës “ Hasan Prishtina “ në qytetin e Kuksit, ndërkohë që në vendin e quajtur “ 6 kateshi “po zhvillohej aktiviteti politik i Partisë Demokratike.

Në vijim nga shërbimet policore, në zbatim të planit të masave për parandalimin e aktivitetit të paligjshëm që po kërkonte të organizonte Nderim Lushi, janë marrë masa duke dislokuar shërbime policore, në afërsi të vendit të quajtur “ Ura e Drinit te Zi “, në Kukës.

Pikërisht në këtë vend rreth orës 12 :00, nga qytetarë të cilët kishin qenë pjesëmarrës në tubimin që kishte zhvilluar në mënyrë të paligjshme Nderim Lushi para Prefekturës Kukës, është bërë bllokimi i rrugës hyrëse në Kukës afër Urës së Drinit të Zi.

Ndërkohë që nga forcat policore është bëre ndërhyrja për lirimin e aksit rrugor dhe shoqërimin e organizatorëve të këtij tubimi të paligjshëm, qytetarët e tubuar kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë me mjete dhe sende të forta (gurë ,drunj etj) megjithëse ju është bërë thirrje nga policia se veprimet ishin të paligjshme.

Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, nga personat që ishin pjesëmarrës në këtë tubim, (të paidentifikuar ende për shkak të konfuzionit) është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma.

Në vijim të veprimeve policore nga ana jonë është negociuar me përfaqësues të personave pjesëmarrës në këtë tubim, të cilët kanë ndërprerë tubimin dhe si rezultat qytetarët janë shpërndarë, duke sjellë në normalitet situatën e krijuar.

Ndaj organizatorit Nderim Lushi është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme“ dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” parashikuar nga nenet 223 dhe 262 të Kodit Penal.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga Punonjësit e Policisë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat