Blushi me ekstremistë antishqiptarë? Reagon PS e Selanikut

Shqipëria

Blushi me ekstremistë antishqiptarë? Reagon PS e Selanikut

Më: 4 maj 2015 Në ora: 22:45

Partia Socialiste, dega e Selanikut në Greqi, reagoi pas lajmit se deputeti Ben Blushi është shfaqur në krah të ekstremistëve antishqiptarë.

Kryetari i kësaj dege, Spiro Janaqi, thotë se fotografia është bërë në vitin 2011, gjatë një takimi në funksion të zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

“Në këtë takim Blushi është ftuar nga strukturat e PS Selanik për të mëbshtetur kandidatin e PS në Korçë, Niko Peleshi. Në fotografi në të majtë jam unë, Spiro Janari, me funksion kryetar i PS dhe në të djathtë është kryetari i të rinjve, Aleks Buda. Të rinjtë e tjerë janë studentë në universitetet e Selanikut dhe anëtarë të PS,” thuhet në deklaratë.

“Siç duket në sfond, në takim është shpalosur flamuri shqiptar dhe ai grek. Ky është një sulm i padrejtë dhe i ulët”.

“Përsa i përket hijeve të dyshimit që mundohet të hedhë me qëllim të keq artikullshkruesi, për bashkëpunim me organizatën Omonia, ju shpjegoj shumë thjesht se Partia Socialiste është në koalicion me Partinë e të Drejtave të Njeriut, që deri në një farë mase është edhe përfaqësuese e Omonia-s”.

Më herët gazetari Arben Llalla ka publikuar një foto të deputetit socialist, Ben Blushi, me anëtarë të një organizate, të cilën e etiketon si ekstremiste antishqiptare.

“Deputeti i PS, Ben Blushi në strehën e organizatës ekstremiste antishqiptare SFEVA (Bashkimi i Studentëve për Çlirimin e Vorio Epirit), në qendrën e Vatrës Epiriotase.

Themelues i SFEVA është Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, më 1982. Në këtë sallë ku është fotografuar deputeti Blushi zhvillohen aktivitetet e shumta me tema për aneksimin e jugut të Shqipërisë (Autonomia e Vorio Epirit).

Në krahun e majtë të deputetit Ben Blushit është Spiro Janaqi, anëtar i kryesisë të organizatës OMONIA-dega Selanik,” shkruan Llalla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat