Zgjedhjet, Raunig: Partitë fushatë me programet, jo me sulme

Shqipëria

Zgjedhjet, Raunig: Partitë fushatë me programet, jo me sulme

Më: 4 maj 2015 Në ora: 21:51

Fushata zgjedhore e për garën e 21 qershorit duhet të bazohet te programet e partive politike dhe jo te sulmi kundër kandidatëve. Kështu u shpreh në një intervistë për TVSH ambasadori Florian Raunig, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Ambasadori Raunig thotë se shpreson për një pjesëmarrje të lartë në votime dhe që partitë të zhvillojnë një fushatë dinjitoze. Sipas tij, një nga hallkat e procesit zgjedhor që ka nevojë për përmirësim është procesi i numërimit.

“Shqipëria si një vend me numër zgjedhësish relativisht të vogël dhe me një administratë zgjedhore të trajnuar, mund t’i nxjerrë rezultatet mjaft shpejt, prandaj është detyra e administratës zgjedhore që të punojë me sa më shumë profesionalizëm e të mos ketë implikime partiake apo politike mbi procesin e numërimit”, thotë Raunig.

Lidhur me shqetësimet e shprehura nga palë të ndryshme për blerjen e votës, të pasqyruara edhe në raportet e OSBE/ODIHR-it, Raunig thotë se është e domosdoshme që zgjedhësit të mos e lejojnë këtë fenomen të shëmtuar, që dëmton themelin e demokracinë, si dhe u bën thirrje atyre të denoncojnë raste të tilla në organet ligjore.

Ambasadori Raunig e cilëson si historik vendimin e parlamentit për një kuotë gjinore prej 50% për këshillat bashkiakë. Ai thotë se ky është një hap i madh në dy drejtime: së pari, gjysma e popullatës, gratë, kanë shansin të përfaqësohen më mirë në vendimmarrje; së dyti, me rritjen e faktorit grua në vendimmarrje, ai shpreson të ketë një ulje të nivelit të konfliktualitetit.

Raunig informon se ekspertët e parë të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të mbërrijnë këtë javë dhe se, gjithsej, është planifikuar të ketë 24 vëzhgues afatgjatë dhe 250 afatshkurtër. Ai bën dallimin mes OSBE/ODIHR-it, organit të specializuar të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila nuk vëzhgon zgjedhjet, por bashkëpunon në vijimësi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, qeverinë, opozitën, parlamentin dhe shoqërinë civile për përmirësimin e proceseve zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat