Reforma në drejtësi të nisë nga korrupsioni

Shqipëria

Reforma në drejtësi të nisë nga korrupsioni

Më: 4 maj 2015 Në ora: 21:03

Këtë të hënë u mbajt tryeza e parë për reformën në drejtësi, ku aktorë të drejtësisë u ulën për të diskutuar për strategjinë antikorrupsion.

Korrupsioni, mungesa e hetimeve proaktive, probleme të hetimit financiar, mungesa e koordinimit të vlerësimit të gjykatës për trajtimin e provës, sikurse edhe dështimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishin disa nga mangësitë që u diskutuan dhe që duhet t’i nënshtrohen reformës në drejtësi.

Konstitucionalisti Gent Ibrahimi theksoi se asnjë prokuror nuk është dënuar deri më sot në Shqipëri, dhe se vetëm dy gjyqtarë janë dënuar në 20 vite tranzicion.

“Vetëm në vitin 2014, më në fund dy gjyqtarë të Shkallës së Parë janë dënuar me vendime gjyqësore për korrupsion”, tha ai.

Gjatë takimit u theksua se sistemi i deklarimit të pasurive nuk ja ka dalë mbanë që të jetë efektiv në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të përfundojnë para drejtësisë. Kjo sipas Ibrahimit, vjen për shkak të boshllëkut ligjor përsa kohë nuk është e përcaktuar ende se çfarë mund të konsiderohet provë, përveç kallëzimit.

“Sa i takon organizimit vihet re që në nivelin e policisë nuk ka një organizim të dedikuar posaçërisht për korrupsionin në qarqe. Pra strukturat e specializuara për hetimin e korrupsionit gjenden vetëm në Tiranë. U bë një përpjekje për t’iu përgjigjur kësaj çështjeje me Byronë e Hetimit, që paraqiti probleme kushtetuese”, shtoi Ibrahimi.

Përfaqësuesja e KLD-së replikoi duke shtuar se shifrat për punën e KLD nuk janë lexuar siç duhet, pavarësisht se të gjithë të pranishmit ranë dakord mbi praninë e korrupsionit në drejtësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat