Rama vonohet në konferencë kërkon falje

Shqipëria

Rama vonohet në konferencë kërkon falje

Më: 4 maj 2015 Në ora: 17:57

Kryeministri Rama ka mbërritur me afro 30 minuta vonesë në një aktivitet ku ishte i ftuar sot paradite, nga mjekë dhe studentë të Mjekësisë.

Si rrallë herë më parë kryeministri ka kërkuar ndjesë dhe ka shpjeguar me humor se edhe pse nga larg duket sikur kryeministri i ka në dorë të gjitha e vërteta është shumë ndryshe, se edhe për të ardhur gjithmonë në orar nuk e ka në dorë kryeministri.

Rama: Nuk e ka në dorë kryeministri për të ardhur gjithmonë në orar

"Ndjesë për vonesën. Dua që t'ju siguroj se nuk ishte vonesa e traditës së udhëheqësve që nuk respektojnë orarin. Por nga ana tjetër dua t'ju them shumë sinqerisht që pavarësisht se nga larg duket sikur kryeministri i ka në dorë të gjitha, e vërteta është shumë më ndryshe, dhe edhe për të ardhur gjithmonë në orar unë nuk e kam në dorë, për shkak se për të respektuar ata që më presin, duhet pastaj të prishem me ata që nuk më lënë të iki," tha Rama.

Ai iu tha më tej studentëve të pranishëm në sallë se nuk i pëlqen që 'të fus hundët', në çdo konferencë dhe takim që organizohet në Shqipëri, por se në këtë rast tema ishte shumë e rëndësishme dhe se ndihej mirë që e kishte pranuar ftesën për të qenë së bashku më të rinjtë.

Rama: E kam bezdi të fus hundët në çdo konferencë dhe të dal në TV

'Nga ana tjetër komplimente për këtë organizim. Kur më thanë që do shkosh në një konferencë për të mbajtur një fjalë unë u habita se përgjithësisht nuk shkoj në konferenca për të mbajtur fjalën. Kam pasur gjithmonë shumë bezdi kur shihja kryeministrat që fusnin hundët në çdo konferencë dhe merrnin gjithë vëmendjen për të dalë në televizor, por pastaj më shpjeguan përmbajtjen dhe mbi të gjitha më shpjeguan përbërjen. Dhe përmbajtja dhe përbërja më bindën që të jem këtu për tu respketuar të gjithëve ju, dhe pamja që kam përballë më bind plotësisht se bëra gjënë e duhur se nuk ndodh çdo ditë që ta fillosh ditën me një pamje me fytyra kaq të bukura," tha më tej Rama ndërsa iu drejtua studentëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat