Të huajt në Shqipëri shërbim shëndetësor falas

Shqipëria

Të huajt në Shqipëri shërbim shëndetësor falas

Më: 4 maj 2015 Në ora: 16:00

Jo vetëm qytetarët shqiptarë por edhe të huajt rezidentë në Shqipëri, kanë akses ndaj shërbimeve shëndetësore falas, siç është diagnostikimi dhe parandalimi i hershëm i sëmundjeve më të shpeshta, kryesisht për moshat mbi 40 vjeç.

"Kjo është mënyra më e mirë për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme," tha sot në Tiranë kryeministri Edi Rama ndërsa mori pjesë në Kongresin e Tretë Ndërkombëtar të Shkencave Biomjekësore.

"Për të shkuar drejt mbulimit shëndetësor universal ne bëmë të mundur qysh në vitin e parë që çdo shqiptar rezident i grupmoshës 40-65 vjeç të përfitojë kontroll mjekësor falas pranë qendrës shëndetësore të vendbanimit të tij, për të parandaluar sëmundje të zemrës, tumorale, diabetin etj. Kemi filluar të ofrojmë egzaminimin pa pagesë të gjirit përmes mamografive të palëvizshme dhe çdo ditë depistohen mesatarisht 30 gra dhe vajza," tha kryeministri Rama.

Megjithëse pranoi se në spitalet shqiptare ka pasur dhe ka ende mungesë ilaçesh, Rama tha se sot shqiptarët i blejnë ilaçet 30 përqind më lirë sesa në qeverisjen e kaluar. Më tej kryeministri ka sqaruar edhe mungesën e ilaçeve në spitale, duke ia faturuar përgjegjësinë qeverisjes së kaluar për borxhin 40 milion dollarë që la ndaj furnitorëve.

“Kemi realizuar një zotim të rëndësishëm që të mos lejojmë që shqiptarët t’i blejnë ilaçet më shtrenjtë se në vendin e origjinës dhe me heqjen e taksës mbi ilaçet kemi arritur t’i ulim çmimet në një mesatare 30 përqind. Arsyeja e mungesës së ilaçeve lidhej me një borxh të madh që shteti u kishte furnitorëve të cilëve me kontratë u kishte kërkuar sasitë e furnizimit por nuk i kishte paguar. Dhe furnitorët në një moment të caktuar kishin ndalur së furnizuari spitalin, 40 milionë dollarë. Ju e keni parasysh që 40 milionë dollarë për buxhetin tërësor të shëndetësisë dhe shtetit nuk janë pak, janë shumë," tha më tej Rama.

Më tej Rama u ndal paksa edhe në 'betejën' me duhanin siç e quajti ai Ligjin Antiduhan, ndërsa tha se më në fund arritën të zbatojnë një ligj që ishte miratuar kohë më parë dhe nuk e zbatonte askush. Uljen e numrit të duhanpirësve Rama e quajti një lajm shumë të mirë, kjo edhe pse shteti merr më pak të ardhura nga akciza mbi duhanin, çka do të thotë se ka më pak blozë në mushkëritë e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat