Ligji i ri për turizmin, Shqipëria me 3 aeroporte të reja

Shqipëria

Ligji i ri për turizmin, Shqipëria me 3 aeroporte të reja

Më: 4 maj 2015 Në ora: 15:39

​Problemi i pronave në Shqipëri ka stopuar zhvillimin e turizmit. Shumë investitorë të huaj nuk kanë guxuar të ndërtojnë në bregdetin shqiptar, vetëm për shkak të konflikteve me tokat. Nga ana tjetër, Shqipëria ka edhe TVSH-në më të lartë në rajon, duke e bërë turizmin tepër të kushtueshëm. Shërbimet, ndotja, mungesa e turizmit gjithëvjetor, janë të tjera pengesa që nuk e kanë lejuar të shkojë aty ku duhet zhvillimi i turizmit shqiptar.

Pikërisht për t’i dhënë një hov të ri zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë, duke synuar turizmin gjithëvjetor është prezantuar sot në Kuvend ligji i ri i turizmit. Vetë ministri Arben Ahmetaj ka folur gjatë për problemet dhe zgjidhjet që do vijnë përmes ligjit të ri duke theksuar se të ardhurat që sjell turizmi në Shqipëri kapin shifrën e 1.1 miliardë dollarëve por se potencialet janë shumë më tepër se kaq.
Ministri bëri të ditur para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese se brenda dy javësh do propozohet në Qeveri një paketë e re që parashikon uljen e TVSH-së, që sipas direktivave të BE-së nuk mund të jetë më e lartë se 15 %.

'Ka rritje kërkesash në krahasim me një vit më parë 25 % dhe për herë të parë Shqipëria nuk arrin dot të furnizojë me shtretër kërkesat që vijnë, dhe kryesisht ka ndryshuar dhe grupi i turistëve; grupi kryesor i turistëve janë polakë; çekë; sllovakë; slloven; boshnjakë, nordikë, italianë. Pra, për herë të parë ka nisur të ndryshojë dhe tipologjia e turistëve që është një shenjë e mirë. Ne jemi në ministri tani duke punuar së bashku me shoqatat për një paketë për mbështetjen e turizmit. Personalisht do të prezantoj përpara qeverisë, besoj brenda dy javësh një paketë ku përfshihet dhe ulja e TVSH-së. Është shumë e vërtetë që të gjithë vendet që ne konkurojmë dhe që kanë industri turizmi të konsoliduar e kanë jo më shumë se 10 për qind TVSH-në. Ne BE, TVSH-ja nuk mund të jetë më shumë se 15 %. Jam i bindur që turizmi dhe industria kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë edhe fiskale," tha ministri Ahmetaj.

Një tjetër risi që do të ndikojë së tepërmi në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë do të jetë edhe ngritja e 3 aeroporteve të reja, duke i hequr kështu eksluzivitetin aeroportit aktual të Rinasit. "Nënë Tereza".

"Koncesioni i aeroportit në vitet që kanë kaluar ka funksionuar shumë mirë, sot në këndvështrimin e qeverisë ekskluziviteti që ka mbi qiellin dëmton turizmin, dhe po me kënaqësi e ndaj me ju që jemi ne negociatë të avancuar për të hequr ekskluzivitetin dhe për ti dhënë mundësi Shqipërisë të ketë tre aeroporte të tjera; 2 në jug; një në veri dhe ju garantoj që brenda dy muajve ekskluziviteti me dialog dhe me negociatë miqësore do të hiqet," tha më tejministri Arben Ahmetaj.

Por edhe turistët e huaj brenda pak viteve do ta kenë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme ardhjen në Shqipëri, jo vetëm përmes aeroporteve të reja, por edhe përmes Autostradës Blu, apo 'Korridorit të Kaltër' siç quhet ndryshe projekti, i cili kalon përmes vendeve të rajonit; Kroaci, Mal i Zi, Greqi, Shqipëri.

Ministri i Turizmit Arben Ahmetaj tha se së fundmi Komisioni Evropian e ka futur projektin e Autostradës Blu zyrtarisht në rrjetet bazë, dhe Shqipëria ka bërë kërkesën për të nisur studimin e fizibilitetit. Ahmetaj tha se brenda 3 apo 4 vitesh kjo autostradë do të nis nga ndërtimi.

"Në konferencën e fundit të Komisionit Evropian, Autostrada Blu që i referohemi ne, pra Adriatiko-Joniane që zbret nga Kroacia, pra Slloveni, Kroaci, Mal i Zi, Shqipëri, dhe kalon në Greqi, diku në Janinë apo në Igumenicë, dhe që do varet nga gjurma zyrtare, është futur zyrtarisht në rrjetet themelore bazë dhe të BE-së. Kjo do të konfirmohet edhe në Konferencën e Vjenës që është në kuadër të vazhdimit të Konferencës së Berlinit. Qeveria shqiptare menjëherë ka bërë kërkesën për të filluar studimin e fizibilitetit për gjurmën që kalon në Shqipëri dhe do të jetë një përpjekje e harmonizuar me Malin e Zi dhe me pjesën e ngelur të gjurmës në Kroaci,", tha më tej ministri Ahmetaj.

Ligji i ri për turizmin mori miratimin në parim të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ndërkohë që do të vijojë të diskutohet edhe në komisionet e tjera, para se të shkojë për miratim në Parlament.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat