Halim Kosova me banorët e Petrelës e Farkës: Do t’i shërbej secilit pa dallim, siç kam bërë si mjek e drejtues

Shqipëria

Halim Kosova me banorët e Petrelës e Farkës: Do t’i shërbej secilit pa dallim, siç kam bërë si mjek e drejtues

Më: 4 maj 2015 Në ora: 14:25

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, është takuar ditën e sotme me banorët e Petrelës dhe Farkës. Pasi u njoh me shqetësimet e tyre për varfërinë, papunësinë dhe pamundësinë e tyre për të shitur prodhimet, Kosova është angazhuar për projekte që do krijojnë mundësi për shitjen e prodhimit të tyre dhe për kreditimin e fermerëve.

Ne takimin që kandidati Halim Kosova ka zhvilluar në Petrelë, është takuar edhe me qytetarë që kanë mbështetur Partinë Socialiste, por që deklarojnë se janë të zhgënjyer.

“Siç e dinë të gjithë këtu, unë kam qenë një socialist i tmerrshëm por e pash që çdo gjë mori shumë keq, ta themi keq fare”, shprehet një banor.

“Edhe socialistëve u ka ardhur në majë të hundës. I kane njerëzit pa punë”, thotë një banor tjetër.

Në zonën e Farkës, banorët thonë se kanë nevojë për një mënyrë të organizuar për tregtimin e prodhimeve të tyre.

“Unë them që ka ardhur koha të marrë fund një herë e mirë që me dy pagure qumësht të ikësh nëpër rrugët e Tiranës e të shesësh qumësht. Ka ardhur koha që duhet me mendu që punëtorit t’i krijohet një mënyrë për grumbullimin e mallit. 3 mijë lekë bën qumështi, 2 mijë lekë autobusi, me ardh me 1 mijë lekë ke fëmijët i bie”, thotë një banor.

“Bashkia të caktojë një vend të posaçëm për të shitur”, është kërkesa e një banori.

Në Lundër ankohen se prej dy vitesh nuk marrin subvencion për bujqësinë.

“Deri para dy vjetësh në bujqësi kemi marrë grande. U bënë gati 2 vjet që ne nuk po shohim më asnjë”, shprehet një banor.

Halim Kosova u angazhua se do të vërë në jetë projekte që do të bëjnë të mundur financimin e fermerëve dhe krijimin e pikave të grumbullimit ose tregjeve në Tiranë për produktin e tyre.

Kosova u tha banorëve se nëse zgjidhet në krye të Bashkisë së Tiranës ai do t’u shërbejë, pa asnjë dallim, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, pa i pyetur njerëzit që kishin nevojë se kujt i përkisnin dhe nga vinin. Gjithashtu ai premtoi se do të ketë transparencë absolute në Bashki për fondet dhe administrimin e tyre.

“Komunikimin që kam pasur me pacientin do ta kem me qytetarin. Do të ketë një sistem të përsosur, që çdo njeri që nuk gjen një zgjidhje aty ku banon dhe ka një sugjerim të ketë mundësi të ma sjellë mua. E dyta, mënyra më transparente e mundshme e fondeve”, tha kandidati Halim Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat