Paloka: Mazhoranca po tenton të manipulojë zgjedhjet

Shqipëria

Paloka: Mazhoranca po tenton të manipulojë zgjedhjet

Më: 4 maj 2015 Në ora: 08:42

“Unë mendoj se nuk ka qytetar në këtë vend, qytetar i Tiranës, qytetar i ndershëm që kur gjendet përballë zgjedhjes mes Halim Kosovës dhe Erion Veliaj, të votojë Veliajn”.

Partia Demokratike paralajmëron se në zgjedhjet e ardhme lokale mund të ketë manipulime të votave, duke filluar nga Tirana. Nënkryetari i demokratëve, Edi Paloka tha dje se Partia Demokratike ka informacione për zhvendosje të votuesve drejt Tiranës për të mbështetur kandidatin e mazhorancës, Erjon Veliaj. “…

Qoftë me sjelljen edhe të kohëve të fundit, gjë që do të vërtetohet, të votuesve nga zona të tjera në Tiranë për të votuar Erion Veliajn, por edhe me ndarjen e re territoriale që u bë, duke përjashtuar zona që njihen që janë djathtas dhe që janë ngjitur me Tiranën dhe duke futur komuna që janë në distancë me Tiranën, por votojnë majtas, qëllimi është ky”, – tha dje Paloka.

Megjithatë, nënkryetari i demokratëve shprehu bindjen se kandidati i opozitës, Halim Kosova do ta fitojë Tiranën. “…Sot në të gjitha sondazhet dihet qartazi që kandidati i PD është përpara…”, – shtoi ai.

Paloka e mbështet tezen e tij për fitoren e Tiranës edhe tek vetitë e Kosovës. “Unë mendoj që nuk ka qytetar në këtë vend, qytetar i Tiranës, qytetar i ndershëm që i do të mirën në radhë të parë vetes dhe është i ndershëm në radhë të parë me veten që kur gjendet përballë zgjedhjes mes Halim Kosovës dhe Erion Veliaj, të votojë Veliajn.

Erion Veliajn nuk e duan as socialistët e tij. Nuk mund të pranojnë as ata vetë që në krye të bashkisë të vihet sozia i Ramës, i cili nuk do bënte gjë tjetër nëse fitonte por të fuste në xhepat e tij dhe të Ramës, paratë e qytetarëve”, – tha ai. Por Paloka shkoi dje më larg me qëndrimet e tij. Nëse zgjedhjet do të vërtetojnë fitoren e opozitës, atëherë ky rezultat, sipas tij do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Vota e shqiptarëve do të jetë jo vetëm një alarm për këtë qeveri, por edhe një tregues i qartë se me këtë mënyrë qeverisje nuk mund të vazhdohet. Pas 21 qershorit në mbështetje të shqiptarëve do të kërkojmë që në Shqipëri të bëhen ndryshimet e duhura”, – tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat