Zbardhen dosjet e vjetra të Lazaratit

Shqipëria

Zbardhen dosjet e vjetra të Lazaratit

Më: 4 maj 2015 Në ora: 08:14

Gati dosja e grupit të zjarrit në Lazarat. Dhjetë prej personave që sulmuan policinë në qeli. Hetimet zbulojnë një prej grupeve që trafikonte narkotikët, në 2012 ishin arrestuar 5 korrierë të drogës.

Arrestimi 6 personave prej grupit që sulmoi me armë policinë gjatë ndërhyrjes në Lazarat, i ka dhënë mundësinë prokurorisë të zbardhë 7 raste të trafikut të hashashit gjatë vitit 2012. Burime nga kjo e fundit bënë me dije se në dosjen e Ramadan dhe Arjan Bashës janë përfshirë pas hetimeve edhe të paktën 7 raste të trafikut të hashashit, ndërsa këta të dy akuzohen ndër të tjera edhe si drejtues të një grupi kriminal të trafikut të narkotikëve. Sipas prokurorisë Arjan Basha dhe Ramadan Basha ishin pjesë e grupit që sulmoi policinë. Prokuroria thotë se ata kishin nxjerrë jashtë banese armët dhe lëndën narkotike ditën që policia hyri në Lazarat, por ekspertiza kriminalistike ka gjetur gjurmë të mjaftueshmë për t’i ndaluar të dy.

Prokuroria bën me dije se që prej fundit të vitit 2013 kishte hapur një hetim lidhur me ekzistencën e një organizate kriminale në drejtim të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike me qëndër të aktivitetit të tyre kriminal fshatin Lazarat. “Hetimet lidhur me këtë proçedim penal kanë vijuar për një periudhë kohe deri në muajin qershor 2014 në mënyrë proaktive, por janë konstatuar vështirësi në dokumentim me prova të aktivitetit kriminal të shtetasve që banonin apo zhvillonin aktivitet kriminal në këtë fshat, pasi policia e shtetit nuk futej në territorine këtij fshati”, thonë burime nga prokuroria. Operacioni i policisë ndërkohë ka krijuar mundësi të reja të hetimit. Sipas prokurorisë pas këtij operacioni janë referuar 180 materiale të reja hetimore që i jaën bashkangjitur dosjes së hetimit për organizatën kriminale.

Hetimet disa mujore, kanë bërë të mundur të sigurohen prova lidhur me ekzistencën e një “grupi të strukturuar kriminal” që merrej me kultivim, mbjedhje dhe shitje të lëndës narkotike të llojit “cannabis sattiva” me shtrirje në kohë nga viti 2012 e në vijim. Sipas prokurorisë Arjan (Servet) Basha dhe Ramadan Basha, dhe persona të tjerë janë përgjegjës për 7 raste trafiku në vitin 2012. Disa pjesëtarë të këtij grupi kriminal që furnizoheshin prej tyre, janë arrestuar në data dhe kohë të ndryshme. Në gusht të 2012 u arrestuan Hysni Hajdaraj dhe

Erzen Rama në “Qafë të Koshovicës”, me dy kg hashash dhe një armë zjarri pistoletë T.T, dy krehra me fishekë. Në Tetor të po atij viti është arrestuar Robert Çepani, në Plepa të Durrësit me më shumë se 10 kile hashash. Në lushnje është gjetur një makinë BMË X5 e djegur dhe 5 kilogramë drogë pranë saj. Ndërkohë në një rrugë tjetër u arrestuan tre persona Lorenc Bregu, Beqo Ibrahimi dhe Klajdi Karemani. Të tre këta persona ishin përfshirë në rrjeti e trafikut dhe po ashtu janë kapur me armë e drogë që e merrnin në Lazarat.

Ndërkohë prokuroria ka gati dosjen për një pjesë të grupit të zjarrit të dyshuar si të përfshirë në sulmet e armatosura kundër policisë. Ata dyshohen për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “Vrasje me dashje e punonjësit të policisë”, mbetur në tentativë, “Armëmbajtje pa leje”, si edhe kultivim, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike. Në qeli përfunduan Ramadan Basha, Arjan Basha, Gurgaz Skënderi, Gentjan Kazma, Mirteza Shemsho dhe Altin Shurdhi. Për të njëjtat akuza janë ta arrestuar që prej qershorit të vitit të kaluar Razip (Gate) Mahmutaj, Vandam Mahmutaj, Matjas Bocia dhe Emiljano Aliko. Prokuroria thotë se gjatë hetimeve për këta persona u janë gjetur gjurmë gishtash në armë të braktisura apo prova të tjera materiale të bllokuara e kapura gjatë operacionit të majit të një viti më parë. Vetëm dy perj të arrestuarve u është gjetur disa dhjetra armë zjarri dhe sasi droge deri në 1 mijë kilogramë. Ndërkohë hetimet rreth asaj që ka ndodhur për vite me rradhë në Lazarat vijojnë, po ashtu edhe sa i përket atyre që sulmuan me armë policinë gjatë operacionit.

Të arrestuar në 2012

Lorenc Bregu

Beqo Ibrahimi

Klajdi Karemani

Hysni Hajdaraj

Erzen Rama

Robert Çepani

Të arrestuar më 2015

Ramadan Basha

Arjan Basha

Gurgaz Skënderi

Gentjan Kazma

Mirteza Shemsho

Altin Shurdhi

Gjatë operacionit 2014

Razip (Gate) Mahmutaj

Vandam Mahmutaj

Matjas Bocia

Emiljano Aliko

Një vit pas operacionit, goditet grupi i zjarrit

Një vit pas operacionit antikanabis në Lazarat, Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon të zbardhë episode nga sulmet me armë që të dyshuar si prodhues të lëndëve narkotike i bënë policisë gjatë ditëve të para të aksionit. Vetëm pak ditë më parë prokuroria ka mundur të identifikojë të paktën 13 persona të dyshuar si pjesë e grupeve që sulmuan me armë forcat e policisë, duke urdhëruar arrestimin e tyre për disa akuza të rënda. Pjesë e dosjes nr.183 që po hetohet prej rreth një viti nga Prokuroria janë të gjithë personat e përfshirë në grupin e strukturuar kriminal, që për të mbrojtur lëndën narkotike të kultivuar ndër vite nuk i kurseu plumbat ndaj policisë, duke vënë në rrezik edhe jetën e banorëve të fshatit. Pikërisht ky grup i ndarë në zona të ndryshme të Lazaratit, që për tri ditë me radhë sulmoi me armë policinë, duket se është identifikuar tashmë nga prokuroria. Fillimisht është urdhëruar arrestimi i 13 personave të parë, pjesë e grupit ku dyshohet se janë rreth 70 persona, mes të cilëve edhe elementë të rrezikshëm kriminalë që drejtonin trafikun e kanabisit që prodhohej në Lazarati. Pas verifikimit të të dhënave, Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për të paktën 13 persona, të gjithë banorë të fshatit Lazarat. Nga ky grup ndërkohë janë 6 të arrestuar, katër ndodheshin në qeli, ndërsa 7 të tjerë ende në kërkim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat