Parlamenti: Çdo shqiptar mund të shikojë dosjen e tij

Shqipëria

Parlamenti: Çdo shqiptar mund të shikojë dosjen e tij

Më: 3 maj 2015 Në ora: 21:10

Parlamenti shqiptar miratoi ligjin e prezantuar nga Qeveria “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, ndërsa hodhi poshtë ligjin për “Hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe procesin e lustracionit”, propozuar nga deputetët Mesila Doda e Shpëtim Idrizi dhe mbështetur nga opozita. Në seancë pati debate të shumta, kryesisht nga opozita e cila akuzoi maxhorancën se po mbështeste “xhelatët e komunizmit në qeveri”. Premtimi për hapjen e dosjeve ishte dhënë më parë nga kryeministri socialist Edi Rama.

Sipas tij ky nuk është një angazhim elektoral i Qeverisë, por detyrim përballë të gjithë atyre që vuajtën përndjekjet e regjimit komunist. Për zotin Rama ligji për hapjen e dosjeve, synon t'u japë qytetarëve të prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish-sigurimit të shtetit mundësinë për të parë me sytë e tyre gjithçka që lidhet drejtpërdrejtë me ta. Shqipëria është një nga vendet e ish lindjes komuniste, ku shërbimi sekret, i njohur me emrin Sigurimi i Shtetit, është konsideruar si një “armë e diktaturës së proletariatit në luftë kundër kapitalizmit”.

Por për afro katër dekada e gjysmë ai shërbeu si vegël e diktaturës komuniste kundër popullit, veçanërisht inteligjencës përparimtare. Sigurimi i Shtetit, ngriti gjatë kësaj kohe një rrjet agjentësh që kontrollonin gjithçka për llogari të kupolës së nomenklaturës komuniste. Dhjetëra mijëra njerëz u arrestuan, hetuan, pushkatuan ose u çuan në internim.

Sipas burimeve zyrtare janë 1.5 milionë dokumente të Sigurimit të Shtetit, por vetëm 14 mijë dosje agjentësh kanë shpëtuar dhe do të hapen për publikun pas miratimit të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat