Mesila Doda: Legalizimi i prostitucionit, çmenduri epshore gjykatësish dhe politikanësh

Shqipëria

Mesila Doda: Legalizimi i prostitucionit, çmenduri epshore gjykatësish dhe politikanësh

Më: 3 maj 2015 Në ora: 20:38

Deputetja e PD-së dhe kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Mesila Doda pozicionohet kundër ligjërimit të shërbimeve seksuale me pagesë.

Në një intervistë dhënë gazetës “Panorama”, Doda komenton kërkesën e Gjykatës së Lartë drejtuar Kushtetueses për legalizimin e prostitucionit. Sipas gazetës, në kërkesë thuhet se palët e interesuara janë Qeveria dhe Kuvendi.

“Në fakt është më fitimprurëse të dalësh pro fenomeneve të modës e të shthurjes sociale, sepse pa dyshim sjellin më shumë fonde dhe vëmendje, por kjo i kalon edhe kufijtë e klientelizmit, është si një nakatosje epshesh pranverore e parfumesh të parave të pista që hyjnë e dalin në xhepat e kushedi se kujt” shprehet Doda.

Më tej, në intervistë ajo bën edhe një propozim alternativ.

“Ju them unë një nismë kryekëput të ndryshme me këtë çmenduri epshore burrash, gjykatës e politikanë, të marrim përsipër një iniciativë dhe të mbështesim familjen, në mënyrë të veçantë ardhjen në jetë të fëmijës së tretë. Pra, të vendosin pension të veçantë për fëmijën e tretë, ulje të taksave dhe mbulim të shpenzimeve për shkollim. Këtë bën një shtet dhe shoqëri e emancipuar dhe këtë mbështetje për familjen do duhet të sjellim,veçanërisht ne gratë në Parlament” vijon Doda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat