Shkreli: Basha po shkatërron trashëgiminë kulturore të Tiranës

Shqipëria

Shkreli: Basha po shkatërron trashëgiminë kulturore të Tiranës

Më: 3 maj 2015 Në ora: 17:07

Këshilltari i Edi Ramës, Artan Shkreli, ka denoncuar sot atë që sipas tij është një tjetër leje e paligjshme ndërtimore e dhënë në zemër të Tiranës nga kryetari i bashkisë Lulzim Basha.

“Ky është krimi i radhës që i ndodh kryeqytetit. Jemi në zonën e Bllokut, zona me intensitetin më të madh të ndërtimit në Shqipëri. Zona kaq e kontestuar përsa i përket goditjes me metra kub beton dhe zona që u premtua nga kryetari i ri i bashkisë, që tashmë është i vjetër, se jo vetëm nuk do të ndërtohej më dhe jo vetëm që nuk do të intensifikohej më, por përkundrazi do të ndërmerreshin aksione rehabilituese dhe dizurbanizuese të kësaj zone.

Pikërisht tani, Kryetari i Bashkisë vazhdon të japi lejet në ikje. Ka dhënë një ndër lejet më skandaloze të dhëna në Tiranë, midis dy pallateve 12-katëshe, një pallat 9-katësh dhe dy kate të tjera nëntokë. Jo vetëm kaq, por e ka dhënë në kundërshtim me qendrën e Tiranës. E ka dhënë në kundërshtim me listën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili e kishte klasifikuar një vilë të vjetër tiranase, të kohës së monarkisë, si një objekt të trashëgimisë kulturore. E ka dhënë dhe në kundërshtim me vetë praktikat që ka ndërmarrë në lidhje me planin e njësisë vendore.

Duhet të ndalojë urgjentisht dhënien e këtyre lejeve masakruese. Duhet të marrë përgjegjësinë që ka bashkia dhe pushteti vendor. Duhet të mos ushtrojë një trysni ndaj sistemit gjykues dhe sistemit të drejtësisë, i cili legalizon këto lloj lejesh, sapo pushteti qendror i bllokon. Leja është bllokuar dhe si në shumë raste të tjera është ndërhyrë pranë gjykatave, sidomos pranë Gjykatës Administrative, për të bërë zhbllokimin që kryen IKMT me shumë kompetencë.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë këtë situatë, e cila në javët e fundit dhe ditët e fundit është bërë emergjente përsa i përket shkatërrimit të Tiranës”, – qe deklarata e Shkrelit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat