Zgjedhjet, 5 deputetë lënë mandatin Kuvendit i shtohen 5 femra

Shqipëria

Zgjedhjet, 5 deputetë lënë mandatin Kuvendit i shtohen 5 femra

Më: 3 maj 2015 Në ora: 14:23

Tetë deputetët që kandiojnë për kryetar bashkie kanë dorëzuar zyrtarisht mandatin e tyre. Brenda këtyre ditëve, Kuvendi i duhet t’i kalojë KQZ-së kërkesën për zëvendësimin e 8 parlamentarëve që kanë dorëzuar mandatin, për t’i hapur rrugë kështu edhe kandidimit për bashkitë e vendit.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve do të kemi një ikje kaq të madhe të deputetëve, të cilët i lënë karriget e Parlamentit, për të synuar “kolltukun” e bashkive. Në listat e dy koalicioneve të mëdha atij të majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, dhe atij të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, janë edhe tetë deputetë në radhët e PS-së, LSI-së dhe PD-së, që do të garojnë për kryetarë të bashkive.

Burime pranë PS-së dhe PD-së bëjnë me dije se katër deputetët e djathtë dhe katër të majtët kanë dorëzuar pranë sekretariateve të grupeve parlamentare dhe më pas në atë të Kuvendit kërkesën për lënien e mandateve, duke u përfshirë në listat zgjedhore të partive. Nga tetë deputetët që do të hyjnë në Kuvend pesë prej tyre do të jenë femra dhe vetëm tre do të jenë meshkuj, duke e shtuar ndjeshëm numrin e grave në Kuvend. Në lidhje me zëvendësimin e tyre pritet që Kuvendi i Shqipërisë të dorëzojë pranë KQZ kërkesën e vakancës prej tetë deputetësh në Kuvend, nga ku më pas do të bëhet dhe plotësimi i tyre pikërisht nga komisioni i administrimit zgjedhor.

Ndërkohë që janë tre deputetë të Partisë Socialiste dhe një e LSI-së, përkatësit Armando Subashi që do të garojë për Bashkinë e Fierit, Majlinda Bufi që do të garojë për Bashkinë e Roskovecit, Artur Bushi që do të kandidojë për Bashkinë e Krujës, si dhe Miranda Rira, e cila do të kandidojë për kryetare të Bashkisë së Përrenjasit që do t’u lënë vendin katër deputetëve të rinj.

Ndërkohë që nga kampi i djathtë bëhet fjalë për Ardian Turkun, i cili do të kandidojë për Bashkinë e Elbasanit, Besnik Duzhaj që do të kandidojë për Bashkinë e Tropojës, deputetja Voltana Ademi që do të garojë për Bashkinë e Shkodrës, si dhe Halim Kosova për bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës.

Zëvendësuesit

Tetë emrat e rinj që do të hyjnë në Parlament, të cilët më parë do të kalojnë për verifikim të mandateve të deputetit në Këshillin për Rregulloren, mandatet dhe imunitetin, i cili më pas i kalon emrat nëse nuk kanë pasaktësi për votim në seancën plenare. Nuk dihet nëse të tetë deputetët e rinj do të bëjnë betimin në të gjithë seancën e ardhshme plenare. “Këshilli verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare brenda 30 ditëve”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Ndërkohë, emrat e rinj janë pikërisht Bujar Çela që do të marrë mandatin e Armando Subashit për Fierin, Antoneta Dhima e 15 në listën e PS-së që do të përfitojë mandatin e Majlinda Bufit për Roskovecin, Shkëlqim Troplini që do të marrë mandatin e Artur Bushit për Krujën, Arbiola Halimi e gjashta në listën e PD-së që do të marrë mandatin e Ardian Turkut për Elbasanin, Mimoza Hajdarmataj e pestë në listën e PD-së do të jetë në vend të Besnik Duzhës për Tropojën, Edlira Çekrezi, e shtata në listën e LSI-së do të marrë mandatin e Miranda Rirës për Përrenjasin, si dhe Irma Kopliku do të jetë deputete në Shkodër në vend të Voltana Ademit. Do të rikthehet në Parlament ish-deputeti socialist, Asllan Dogjani, tashmë si i djathtë që do të marrë mandatin e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosovës.

Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces të verifikimit të firmave të dorëzuar nga kandidatët e pavarur që do të garojnë për një post kryetari bashkie, ku vetëm në Tiranë kemi dy të tillë. Pas gjithë këtij procesi, si dhe verifikimit të listave, koalicioneve apo dhe partive për anëtarët e këshillave bashkiakë, KQZ pritet që të miratojë listat përfundimtare, si dhe kandidatët e pavarur, duke i lënë rrugë të hapur në këtë mënyrë çeljes zyrtare të fushatave zgjedhore nga kandidatët. Edhe pse shpeshherë ka pasur thirrje drejtuar partive politike nga ndërkombëtarët apo dhe juristët në vend për rishikim të listave të kandidatëve dhe largimin e të dyshuarve për të shkuar kriminale, kjo gjë me sa duket nuk është marrë në konsideratë. Emrat e përmendur nga opozita, por dhe nga mazhoranca si të dyshuar me të shkuar kriminale apo dhe të përfshirë në afera korruptive, nuk janë tërhequr asnjë prej kandidimit të tyre në postet e kryebashkiakëve.

Dhima

Antoneta Dhima e 15-a në listën e PS-së do të marrë mandatin e Bufit. Në vitet 2007-2013 ka punuar si Drejtore e Drejtorisë së Përgjithshme Ekonomike në bashki, tani është Drejtore e Spitali Fier

Hajdarmataj

Mimoza Hajdarmataj e pestë në listën e PD-së do të jetë në vend të Besnik Duzhës për Tropojën. Ajo më parë ka pasur postin e inspektores së përgjithshme të Inspektoratit Qendror

Kopliku

Irma Kopliku e dhjeta në listën e PD-së do të jetë deputete në Shkodër në vend të Voltana Ademit. Ajo është pedagoge në universitetin “Luigj Gurakuqi”, pjesë e departamentit të Matematikës

Dogjani

Parlamentit pritet t’i rikthehet Asllan Dogjani. Ai do të zëvendësojë demokratin Halim Kosova, i cili kandidon për Bashkinë e Tiranës. Më parë Dogjani ka qenë deputet i PS-së

Cekrezi

Edlira Çekrezi është renditur e shtata në listën shumemërore të LSI-së do të marrë mandatin e Miranda Rirës për Përrenjasin

Elbasani

Arbiola Halimi është e renditur e gjashta në listën shumemërore të PD-së që do të marrë mandatin e Ardian Turkut për Elbasanin

Përfaqësimi

Kuvendi shifra rekord, 20 për qind me deputete

Aktualisht, janë 29 deputete në Kuvendin e Shqipërisë, nga të cilat kanë lënë mandatet tre, përkatësisht një nga PS-ja, një nga LSI-ja, si dhe një nga PD. Por në deputetët e rinj që do të hyjnë në Kuvend, pritet që të jenë dhe dy deputete më shumë, duke e çuar në këtë mënyrë kështu numrin e deputeteve femra 31 në Parlament. Qarqet që nuk kanë asnjë përfaqësim të femrave në Kuvend janë pikërisht ai i Dibrës, i Gjirokastrës dhe ai i Kukësit. Edhe pse në Qarkun e Dibrës mundësia për të pasur një deputete në Kuvend ekziston, pasi në listën shumemërore të PS-së është kandidatja për deputete, Ezmerina Hoxha, e cila mund të hyjë në Kuvend nëse do të lërë mandatin e deputetit, ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Ndërkohë që edhe në Tropojë pritet që të jetë një deputete femër, kjo pas lënies së mandatit të Duzhës. Ndërkohë që përfaqësimi i tyre do të jetë në mënyrë të barabartë (50% ferma dhe 50% meshkuj) në këshillat bashkiakë të çdo bashkie në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat