Kosova takim me operatorët turistikë: Turizmi në Tiranë, burim të ardhurash dhe punësimi

Shqipëria

Kosova takim me operatorët turistikë: Turizmi në Tiranë, burim të ardhurash dhe punësimi

Më: 3 maj 2015 Në ora: 14:13

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova është takuar sot me njohës të fushës së turizmit dhe me operatorë turistikë, me të cilët ka ndarë idenë se turizmi duhet t’i sjellë të ardhura qytetit dhe të krijojë vende pune.

“Turizmi kulturor në kryeqytetet e botës dhe qytetet e botës që kanë vlera autentike të aspektit arkeologjik, kulturor, historik, ka disa politika të themi kulturore dhe strategji të mira afatshkurtër dhe afatmesëm dhe ne sot jemi të gjithë bashkë për ti diskutuar me specialistë, me njerëz të fushës dhe ky është një shkak i mirë që Dr. Halimi t’u dëgjojë”, u shpreh Ardian Isufi, koordinatori i këtij takimi.

Kandidati për kryebashkiak u ndal tek rëndësia e informacionit.

“Informacioni për turizmin nuk është i rëndësishëm vetëm për turistët por është i rëndësishëm dhe për ne vetë që jemi këtu, që edhe ne ta dimë se çfarë kemi përreth, sa kala kemi, sa shpella kemi, sa vende të bukura piktoreske kemi që duhet të shkojmë . Unë do të mirëprisja çdo lloj gjëje sepse sa më shumë ide të ketë, aq më e pjekur del edhe strategjia e qytetit të Tiranës për të vizituar veprat e rëndësishme që Tirana ka dhe të përcaktojmë guida, dhe pika informacioni në të gjitha anët e qytetit ku edhe turisti ta dijë cilat janë qendrat që s’duhen lënë pa parë, cilat janë vlerat tradicionale”, u shpreh Kosova.

Halim Kosova e ftoi që të punojnë së bashku për ide e projekte konkrete për te rritur numrin e vizitorëve në Malin e Dajtit.

“Industria turistike është një nga industritë kryesore që siguron punësim sepse sa më shumë që rritet teknologjia aq më tepër punonjës duhen. Ndërkohë që ndodh e kundërta me teknologjitë e tjera. Është e rëndësishme që të ndërmerren masa, të planifikohen masa që janë stimuluese për turizmin”, tha përfaqësuesi i një operatori turistik.

Kandidati për kryebashkiak shprehu gatishmërinë për të punuar në këtë drejtim.

“Numër një do ishte çfarë kemi gati. Ato që kemi gati t’ia ofrojmë turistëve. E dyta, në një plan shumë të afërt, çfarë mund të bëjmë për të ofruar ato gjëra që ne i kemi por që duan edhe ndonjë rikonstruksion që ta futësh turistin, por edhe neve vetë kur të shkojmë ta shohim. Dhe e treta, për gjërat tradicionale të Tiranës dhe komunave përreth, të gërmojmë ku ka gjëra që janë tradicionale dhe atraktive, por që i ka mbuluar koha”, u shpreh Kosova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat