Rama: Mbështetje maksimale kompanive investuese në miniera

Shqipëria

Rama: Mbështetje maksimale kompanive investuese në miniera

Më: 3 maj 2015 Në ora: 13:52

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me minatorët e minierës së Kalimashit, në Kukës, të cilën e vlerësoi si pasuri kombëtare dhe gjenerator punësimi.

Industria e kromit në Kukës, pothuaj e shuar prej shumë vitesh, po rigjallërohet. Fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash, me investimet e kryera nga investitorë seriozë në këtë fushë, po rrit kapaciteter për përpunimin e kromit në vend. Në këtë fabrikë ishte Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Industrisë dhe Energjetikës Damian Gjiknuri.

Miniera e kromit në Kalimash, sipas studimeve, ka rezerva industriale prej 1.23 milionë tonë krom. Si rezultat i investimeve të kryera, fabrika e pasurimit të kromit do të përpunojë rreth 150 mijë tonë krom në vit.

Ministri Gjiknuri tha se investimet në sektorin minerar po rriten edhe si rrjedhim i lehtësirave të krijuara nga qeveria në legjislacionin e kësaj fushe, duke rigjallëruar një industri prej shumë vitesh të shuar.

Kryeministri Edi Rama, Kukes (1)Vlera e investimeve të realizuara aty, sipas drejtuesve të fabrikës, është 6.2 milionë dollarë dhe gjatë operimit të fabrikës dhe të minierës, numri i të punësuarve do të shkojë në 500 persona.“Deri tani janë investuar 6.2 milion dollarë. Ka një punësim prej 300 persona. Me përgatitjen e fabrikës së pasurimit do të arrijë në 350. Me tej, do të shkohet me fabrikën e ferrokromit e cila do të kërkojë 150 punonjës të tjerë. Vetëm gjatë muajit maj priten rreth 2 milion dollarë makineri-pajisje që do të vijnë për të kompletuar fabrikën e pasurimit.”

Deri në mesin e vitin 2014, miniera e kromit në Kalimash është shfrytëzuar nga individë në mënyrë të jashtëligjshme. Nisur nga ky fakt, Kryeministri u shpreh se Kukësi dhe Shqipëria ka humbur shumë si pasojë e këtij fenomeni, duke shprehur bindjen se tashmë gjithçka është në rrugën e rimëkëmbjes. Kryeministri premtoi mbështetje maksimale ndaj kompanive investuese.

Kryeministri Edi Rama, Kukes (2)“Shqipëria ka humbur shumë dhe Kukësi ka humbur shumë. Sot realisht jemi ne kushtet kur kjo industri po rilind me të vërtetë dhe ne do t’i japim mbështetje maksimale kompanive, do t’i japim mbështetje maksimale edhe për faktin se ashtu siç e shprehën dhe vetë minatorët, trajtimi është dinjitoz, paga është dinjitoze. 700 dollarë pagë është sot vërtetë dinjitoze”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi si domosdoshmëri përgatitjen e të rinjve në këtë fushë nëpërmjet arsimit profesional. ”Së bashku me kompaninë të bashkërendojmë forcat dhe financimin me bashkinë e re të Kukësit, me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të ndërtuar dhe një shkollë profesionale, që te kemi mundësi që të formësojmë të rinjtë. Shkollat profesionale siç e kemi bërë në Bulqizë, këtu apo kudo ku janë këto pika, do të ndihmojë që kompania me mbështetjen e shtetit të ketë mundësi të rekrutojë të rinj, t’i kualifikojë, t’i përzgjedhë dhe pastaj menjëherë t’i fusin në punë”, tha Rama.

Bimet-medicinale2Në Kukës, Kryeministri Rama vizitoi edhe pikën e grumbullimit të bimëve medicinale. Praktikisht, sot një magazinë e rrënuar, por që me mbështetjen financiare të qeverisë, sipërmarrësi synon ta kthejë në një pikë moderne të grumbullimit dhe përpunimit të këtyre bimëve.
Sipërmarrësit iu dorëzua kontrata me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që e bën përfitues nga fondi i mbështetjes.

Kryeministri Rama përgëzoi sipërmarrësin që ia ka dalë edhe në kushte të vështira të mbajë në këmbë biznesin jo vetëm për vete, por edhe për shumë familje të tjera. Me mbështetje financiare të AZHBR-së, sipërmarrësi planifikon shtimin e kapaciteteve dhe modernizimin e saj. Një investim, shprehu bindjen Kryeministri, që do ta shndërrojë në një pikë grumbullimi model, që do t’i shërbejë të gjithë qarkut të Kukësit.

“Prej kaq vitesh një punëtor i palodhur, i cili ka privatizuar shumë vite më parë këtë magazinë të rrënuar, arrin të mbajë jo vetëm familjen, por edhe një numër të konsiderueshëm familjesh, pa asnjë mbështetje nga ai shtet dhe ai pushtet, që sot derdh lot krokodili për Kukësin, për varfërinë, për ikjet e me radhë”, tha Rama.

Bimet-medicinale1“Ndërkohë që ne sot i dorëzojmë këtë kontratë mikut tonë që do e bëjë që kjo skutë e errët ku bëhet një luftë e përditshme, me një vështirësi të jashtëzakonshme, për të jetuar me një punë të ndershme të kthehet në një magazinë grumbullimi model dhe t’i shërbejë të gjithë qarkut deri në grykë Çajë, duke bërë që të punësohen qindra e qindra familje që të mbledhin bimët medicianale, t’i sjellin këtu dhe të marrin shpërblimin e të jetojnë dhe ata me punë të ndershme. Kapaciteti i kësaj magazine është minimal, por me modernizimin dhe transformimin e saj, me investimin në teknologji do të bëhet një pikë grumbulli, nga ku pastaj do të kemi përfitime të mëdha për zonat më të vështira,” u shpreh Kryeministri, pasi u njoh nga afër me biznesin dhe planet e investimit të sipërmarrësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat