Prokuroria mbyll hetimet, deputeti Astrit Veliaj në gjyq

Shqipëria

Prokuroria mbyll hetimet, deputeti Astrit Veliaj në gjyq

Më: 3 maj 2015 Në ora: 11:51

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për gjykim çështjen ndaj deputetit Astrit Veliaj, duke e akuzuar atë për “Shkatërrim të pronës” dhe “Ndërtim të paligjshëm në pronë publike”. Prokuroria e Përgjithshme ka kryer hetime mbi veprat për të cilat akuzon deputetin Veliaj dhe ka arritur në konkluzionin se prej tij janë konsumuar elementët e këtyre veprave penale. Sipas Prokurorisë, shkeljet janë në rastin e ndërtimit të një godine për qëllime universitare në qytetin e Fierit nga ana e subjektit “UFO” sh.p.k, administrator i të cilit, në kohën e kryerjes së punimeve, ka qenë deputeti Astrit Veliaj.

Sipas hetimeve, ka rezultuar se deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj, njëherësh pronari i universitetit “UFO”, ka shkatërruar godinat e ish-Drejtorisë së Policisë së Fier, dhe mbi rrënojat e tyre ka ndërtuar filialin e universitetit “UFO” në këtë qytet. Objekti 4-katësh me një kullë në mes, është ndërtuar pa pasur lejen ndërtimore të lëshuar nga Bashkia e Fierit. Ndërkohë procedura e shembjes së godinave me vlerë 10.4 milionë lekë që kanë qenë pronë e Ministrisë së Brendshme dhe tjetërsimi i truallit ka ndodhur gjatë periudhës kur zv/ministër i Brendshëm ka qenë Avenir Peka dhe ministër Flamur Noka. Për shkatërrimin e kësaj prone dhe ndërtimit të paligjshëm të godinës së universitetit, deputeti Veliaj, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe dosja kundër tij është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë. Me shkresën datë 02.08.2012, i pandehuri Astrit Veliaj, në cilësinë e pronarit të ligjshëm të pronave të familjeve M... dhe V..., është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Brendshme për dorëzimin fizik të pronës.

Në paragrafin e fundit të kësaj shkrese theksohet se : “Për objektet ndërtimore në pronësi të Ministrisë së Brendshme, por të ndërtuara mbi truallin e pronarëve të ligjshëm, do të ndiqen procedurat përkatëse ligjore të privatizimit”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shërbimi i policisë në objektet e prishura e që përbënin ish-Drejtorinë e Policisë ka vazhduar deri më datë 10.08.2012 dhe janë të inventarizuara me vlerë ekonomike në kontabilitet në shumën prej 10.416.63l lekë. Procedimi penal ndaj deputetit ka nisur pasi shtetasja H.Z, ka kallëzuar se është bashkëpronare e një ndërtese në lagjen “Kastriot” Fier dhe se në truallin e kësaj ndërtese po ndërtohet një objekt pa leje. Ky pretendim i saj është mbështetur edhe nga pronarët e tjerë të truallit. Nga veprimet hetimore rezultoi se objekti është korpus universitar, i ndërtuar brenda një sipërfaqe trualli prej rreth 11000 metër katrorë dhe ndodhet në lagjen “Kastriot”, ish-Drejtoria e Policisë Fier.

“Gjatë këqyrjes nuk është konstatuar ekzistenca e ish-objekteve të Policisë së Fier, kthyer pronarëve, me përjashtim të godinës se ish-repartit të policisë. Ndërtimi rezulton të jetë kryer nga subjekti “UFO sh.p.k”, me pronar Astrit Veliajn. Sipas shkresës datë 10.07.2013 të Bashkisë Fier, nuk rezulton t’i jetë dhënë leje ndërtimi subjektit të mësipërm, pasi ndërtimi i korpuseve universitare është jashtë kompetencave të saj”,-thuhet në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas saj, nga konstatimet e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik (I.N.U), i Bashkisë së Fierit, i cili pas konstatimit të paligjshmërisë së ndërtimit të objektit ka përpiluar 2 proces-verbale për konstatimin e ndërtimit të paligjshëm dhe një vendim për pezullimin e punimeve të ndërtimit. Nga përfundimet e aktit të ekspertimit teknik të kryer gjatë hetimeve paraprake, në të cilin veç të tjerash evidentohet edhe fakti se nga sipërfaqja mbi të cilën është ndërtuar godina universitare, ajo me nr. 4/37, është pronë shtet.

Ku është ndërtuar objekti

Nga akt-ekspertimi i Prokurorisë rezulton se sipërfaqja e përgjithshme e pronës në të cilën është ndërtuar godina universitare e deputetit Astrit Veliaj është 11.345 metra katrorë, ku brenda saj ndodhet edhe godina e universitetit prej 1700 metra katrorë. Kjo pronë ndodhet në zonën kadastrale 8534. Brenda sipërfaqes ndodhen disa numra pasurie. Në truallin në fjalë ka patur objekte në pronësi të Ministrisë së Brendshme që janë shkatërruar tërësisht, me sipërfaqe totale 825.5 metra katrorë. Me veprimin e tij të shkatërrimit të këtyre objekteve, që ndodheshin brenda territorit, ku është kryer ndërtimi i korpusit universitar në lagjen “Kastriot” të qytetit të Fierit, i pandehuri Astrit Veliaj ka kryer veprën penale të shkatërrimit të pronës, me dëm në vlerën prej 5.479.510 lekë, e parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat