Gazmend Oketa kryetar i FRD-së, autorizoi Topin për koalicionin me PS-në

Shqipëria

Gazmend Oketa kryetar i FRD-së, autorizoi Topin për koalicionin me PS-në

Më: 28 prill 2015 Në ora: 19:19

Zyrtarisht Gazmend Oketa është kryetar i Frymës së Re Demokratike, ndërsa Bamir Topi është regjistruar para KQZ-së si anëtar i saj.

Fryma e Re Demokratike u regjistruar në KQZ për zgjedhjet lokale të 21 qershorit më datën 13 prill, ndërkohë që zyrtarizimin e marrëveshjes me aleancën e majtë e realizoi katër ditë më vonë, më 17 prill.

Kreu i FRD-së, Gazmend Oketa, lëshoi një autorizim për ish-Presidentin Bamir Topi, në të cilin i njeh të drejtën të firmosë koalicionin e ri me Partinë Socialiste.

Me vendim gjykate, Gazmend Oketa është kryetari i vërtetë i FRD-së dhe për marrëveshjen e nënshkruar mes Ramës dhe Topit është dashur lëshimi i një autorizimi të posaçëm.

Duke qenë se FRD është regjistruar në kohën që Topi ishte në detyrën e Presidentit, partia ligjërisht është në emër të Oketës. PS ka korrigjuar shkresat e depozituara në KQZ, duke kërkuar të shtohet togfjalëshi “nënshkrimin për FRD, fjala “kryetari” të zëvendësohet me “i autorizuar nga kryetari Z.Gazmend Oketa”.

“Subjekti politik “Fryma e Re Demokratike” i regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendim nr. 6345, dt. 20.06.2012, autorizon prof. Dr. Bamir Topi, për të kryer nënshkrimin e marrëveshjes me Partinë Socialiste të Shqipërisë si pjesë e koalicionit për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Të gjitha veprimet e kryera nga përfaqësuesi i caktuar nga ana ime, i quaj të drejta dhe të mirëqena sikur të isha unë prezent’, thuhet në autorizim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat