Ahmetaj paralajmëron betejë kundër informalitetit

Shqipëria

Ahmetaj paralajmëron betejë kundër informalitetit

Më: 28 prill 2015 Në ora: 17:33

Qeveria do të nisë së shpejti betejën e re kundër informalitetit. Deklarata u bë nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, pas prezantimit të raporteve të indekseve mbi klimën e biznesit, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë.

“Indeksi i klimës së biznesit tregon një përmirësim të drejtpërdrejtë dhe një besim tek reformat që qeveria ka ndërmarrë. Punësimi në 2014-n u rrit me mbi 83 mijë, ndërsa rritja ekonomike në vend llogaritet për vitin që lamë pas 1.9 për qind, ndër më të lartat në rajon, në kushtet kur kriza ekonomike globale ende nuk ka kaluar”, tha ministri Ahmetaj.

Ministri njoftoi se, qeveria ka një plan prej 10 pikash për përmirësimin e ekonomisë në vend që kanë të bëjnë me rregullimin, formalizimin dhe liberalizimin. Po ashtu, në Kuvend janë dërguar 4 projektligje të rëndësishme që përmirësojnë ndjeshëm procedurat dhe mundësitë për sipërmarrjen shqiptare e të huaj.

“Është ligji ‘për investimet strategjke’, i cili ka si qëllim rritjen e sigurisë kontraktuale e juridike të sipërmarrjes, adoptimin e një rruge të shpejtë në administratë për të përfituar kontrata, licenca apo kontrata të investimeve të huaja direkte. Është ligji i ‘partneritet publik-privat’, që rregullon procedurat, rrit transparencën, dhe ul kohën për arritjen e një marrëveshjeje nga 272 ditë në 140 ditë”, nënvizoi Ahmetaj.

Sipas ministrit Ahmetaj, një tjetër ligj është ai i “zonave ekonomike”, përmes së cilit, i jepet mundësia sipërmarrjeve nga vendi, rajoni e bota të përqëndrohen në një zonë ekonomike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat