Nishani: Eksodi, pasojë e papunësisë, po shfrytëzohet situata për përfitime

Shqipëria

Nishani: Eksodi, pasojë e papunësisë, po shfrytëzohet situata për përfitime

Më: 28 prill 2015 Në ora: 17:03

Presidenti Bujar Nishani ka deklaruar në një intervistë për Top Channel se numri i azilkërkuesve po rritet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe papunësisë gjithmonë e në rritje.

“Të gjitha të dhënat, analizat, por edhe informacionet që vijnë shihet që arsyeja thelbësore dhe kryesore e largimit të njerëzve është për shkak të problemeve reale dhe të pamundësisë së ndërtimit të një ekonomie dhe të jetës së qytetarëve shqiptarë aty ku jetojnë. Kryesisht i mundon papunësia”, ka thënë Nishani.

Ai ka thënë se kjo situatë kaotike po shtyhet dhe po përfitojnë edhe grupet e organizuara kriminale që duan të përfitojnë nga qytetarët e joinformuar.

“Unë nuk i përjashtoj edhe faktorët e tjerë, të cilët padyshim e nxisin dhe e shtojnë fenomenin e largimit. Unë dënoj njëkohësisht edhe ekzistencën e spekulatorëve dhe grupeve kriminale, të cilët e nxisin largimin e qytetarëve për përfitime financiare. Por ajo që është bazike dhe fundamentale janë padyshim problemet ekonomike dhe kjo nuk është një çështje politike. Nëse ne duam të fshihemi dhe të mos e themi ashtu siç është, ne nuk do të gjejmë zgjidhje dhe nuk do t’i orientojmë apo nxisim më pas njerëzit që e kanë përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje për të shkuar përpara”, tha Nishani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat