Koordinatorja e PD-së për marrëdhëniet me publikun Grida Duma ka reaguar pas akuzave të mazhorancës së ajo ka rekorde kriminale.
Deputeti Taulant Balla deklaroi dje se në listat e PD-së për zgjedhjet vendore ka kandidatë me rekorde kriminale dhe një ndër to është edhe Grida Duma.
Por Duma iu kundërpërgjigj Ballës duke e cilësuar një “sharës me pagesë”.
“Kryeministri nxori një ‘sharës me pagesë’ dhe publikoi një listë me akademikë që garojnë nën siglën e Partisë Demokratike.Nga një mazhorancë që e ka ngritur krimin në Akademi mund ta presësh këtë. Lista, ku bënte pjesë edhe emri im, është një sajesë e trashë që buron nga paniku i humbjes së afërme. E shoh si kamerdare të shpuar turpi, që i hidhet që nga Tirana të Turpëruarit të Vogël këtu në Durrës. Nuk e shpëton dot nga fundosja. Kam kuptuar një gjë këto ditë me qytetarët e Durrësit e rrethinave: Durrsakët i kanë pritur me padurim këto zgjedhje për të larguar Vangjush Dakon. Akuzat që lexohen në Tiranë janë tregues se atje e kuptojnë se ç’i pret në Durrës. Për këtë alarmohen dhe shpifin.Të hidhen përpjetë sa të duan: I pret një disfatë e thellë dhe e sigurt”, tha Duma.