Paloka: Dekriminalizimi i pamundur me Ramën, pa ndërkombëtarët

Shqipëria

Paloka: Dekriminalizimi i pamundur me Ramën, pa ndërkombëtarët

Më: 28 prill 2015 Në ora: 15:57

Në selinë blu, deklarata e Ambasadorit Amerikan Donald Lu, se pas verifikimeve rezulton që në listat për Kryebashkiakë ka persona me rekorde kriminale, në mos me duartrokitje është mikpritur.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë për Ora News, ndërsa vlerëson dhe mbështet fort deklaratën e diplomatit të Shteteve të Bashkura të Amerikës, proçesin e dekriminalizimit me Edi Ramën përballë e sheh një sfidë të pamundur, pa mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Do të ishte shumë e vështirë kjo betejë karshi Ramës, nëse nuk do të kishim këtë mbështetje. Edhe kështu po rezulton e vështirë sepse po i shohim reagimet e PS, por jam i bindur që me ndihmën e aleatëve ne do ja dalim që të kemi nesër një parlament të pastër dhe sot një administratë të painkriminuar”, tha Paloka.

8 emrat e kandidatëve demokratë të hedhur në debat nga socialisti Taulant Balla, Paloka i sheh si ilaç për kryesocialistin Edi Rama, për të përballuar sipas tij, dhimbjet e humbjes në 21 qershor.

“Janë personazhe, të cilëve vetë qeveria i ka hapur proçese me qëllime të caktuar, por kryesisht për t’i penguar. Dhe janë në ato zona ku Ramës i dhemb humbja. Rama është i shqetësuar për Gjushin e tij. Nuk jam i sigurt nëse është i shqetësuar për ndonjë tjetër, por për Gjushin është i shqetësuar. Është i shqetësuar për Sarandën, është i shqetësuar për bregdetin në përgjithësi dhe këtë e bën jo sepse i dhimbset as pastërtia e figurave nga dy krahët, as PS, por sepse janë zona ku siç e dimë, me konceptin e Ramës bëhen para”, tha deputeti demokrat.

E për të ironizuar listën Balla, nënkryetari demokrat hedh këtë batutë:

“E kupton çfarë përballjesh kemi, kriminelen Grida Duma kundër dy trafikantëve të drogës dhe të prostitucionit dhe ky është paralelizmi që bën Taulant Balla midis PD dhe PS”.

Dekriminalizmi sipas Edi Palokës është jetik për vendin, ndaj ai shprehu vendosmërinë e demokratëve për t’i shkuar deri në fund këtij proçesi, duke i bërë thirrje mazhorancës të pranojë propozimet që synojnë të ndalojnë personat me rekorde kriminale të futen në politikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat