Basha: Mjerimi është pesëfishuar

Shqipëria

Basha: Mjerimi është pesëfishuar

Më: 28 prill 2015 Në ora: 14:44

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot kandidatët për kryetarë bashkie në Gramsh, Kodhel Çala, në Cërrik, Qamil Boja, në Belsh, Asqeri Kuqja dhe në Peqin, Albert Kreçi.

Duke ndarë shqetësimin me banorët që vuajnë nga mjerimi, Basha ia drejtoi gishtin e akuzës qeverisë, që sipas tij, tallet me bukën e gojës së shqiptarëve.

Sipas Bashës, mazhoranca, jo vetëm nuk ka mbajtur asnjë premtim, por sot po i kërcënon shqiptarët se do t’u marrë shtëpitë. Kreu i PD-së u shpreh i bidur se 21 qershori do të jetë ora e llogaridhënies për premtimet e pambajtura.

“Punët nuk po ecin në drejtimin e duhur. Punët po ecin në drejtimin e gabuar. Numri i personave që jetojnë në kufijtë e mjerimit është pesëfishuar. Ta ngrejë dorën se cili fermer sot subvencionohet për naftën. Kush e paguan naftën sot më lirë se para dy vitesh? Zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë vetëm zgjedhje vendore. Ato janë zgjedhje ku do të ushtojë nga gjiri i qytetarëve të bashkuar, të djathtë e të majtë, vendimi dhe gjykimi i drejtë politik me votën tuaj për keqqeverisjen Rama-Meta”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat